E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Tan Agolli hap tenderin 1 milion euro për hotelin që duhej të ishte ndërtuar më parë
Lajme

Tan Agolli hap tenderin 1 milion euro për hotelin që duhej të ishte ndërtuar më parë

Parku Retro në Bulqizë gllabëron miliona euro, 7 milionë euro në total

Një tjetër tender me vlerë mbi 1 milion euro është hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për projektin “Parku Retro” në Bulqizë, duke shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si po përdoren paratë publike për transformimin e ish-zonës ushtarake në një destinacion turistik. Pas dy procedurave të mëparshme, të cilat sipas dokumenteve kanë kushtuar rreth 6 milionë euro, institucioni që drejtohet nga Dritan Agolli ka nxjerrë në garë një tjetër kontratë, këtë herë për ndërtimin e hotelit.

Në qendër të debatit është fakti se hoteli rezulton të ketë qenë pjesë e parashikimeve të projektit që në fazat e mëparshme. Megjithatë, sipas dokumentacionit të tenderëve, kontratat janë ndryshuar dhe tashmë ndërtimi i kësaj strukture është ndarë në një procedurë të re, me një fond limit prej 95 milionë lekësh të rinj, ose mbi 1 milion euro.

Kjo është faza e tretë e projektit që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në Bulqizë. Ndërkohë, dy fazat e para kanë konsumuar miliona euro nga buxheti publik, për një kompleks ku parashikohet të ndërtohen struktura akomoduese, ambiente shërbimi, bare, restorante dhe hapësira me karakter turistik e kulturor.

Pikërisht ndarja e punimeve në disa procedura dhe fakti që hoteli po tenderohet më vete, ndonëse ishte përfshirë në konceptin fillestar, kërkojnë transparencë të plotë mbi ndryshimet kontraktuale, kostot përfundimtare dhe përgjegjësinë për administrimin e investimit. Po ashtu, mbetet për t’u sqaruar se kush do ta menaxhojë hotelin dhe strukturat e tjera që do të ndërtohen me paratë e taksapaguesve.

Tenderi i ri, 95 milionë lekë për ndërtimin e hotelit në Bulqizë

Sipas dokumenteve të publikuara për procedurën e fundit, FSHZH ka hapur tenderin me objekt “Ngritja e infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Bulqizë”, që përfshin lotin e tretë të projektit “Parku Retro”.

Në këtë fazë parashikohet ndërtimi i hotelit, ndërsa fondi limit është përcaktuar në 95 milionë lekë të rinj, një shumë që kalon 1 milion euro.

Procedura e re vjen pas dy investimeve të mëparshme, për të cilat janë shpenzuar rreth 6 milionë euro. Një prej tyre, loti i dytë, kishte si objekt ndërtimin e godinave dhe infrastrukturës së parkut, me një vlerë prej 271 milionë lekësh.

Kështu, kostoja e projektit vijon të rritet, ndërsa investimi po ndahet në disa faza dhe kontrata. Përtej vlerave financiare, çështja kryesore mbetet nëse fondet e parashikuara në fillim kanë mbuluar të gjitha punimet e projektit dhe përse ndërtimi i hotelit po kërkon një tjetër financim të veçantë.

Kompania “Ulza” fitoi tenderin e parë në vitin 2024

Historia e projektit nis në vjeshtën e vitit 2024, kur Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi procedurën e parë për transformimin e ish-zonës ushtarake në Bulqizë në një hapësirë turistike dhe kulturore.

Në atë kohë, fondi limit ishte 338 milionë lekë, ndërsa në tetor 2024 u shpall fituese kompania “Ulza”.

Dokumentet shoqëruese të projektit tregonin se ndërhyrja nuk kufizohej vetëm te rikualifikimi i ambienteve të jashtme, por përfshinte edhe struktura konkrete akomoduese. Në plan ishte parashikuar rikonstruksioni i të ashtuquajturit “Retro-Hotel”, në godinën e ish-Shtëpisë së Oficerëve, si dhe ndërhyrja në tetë banesa dykatëshe të vendosura brenda të njëjtit kompleks.

Godina kryesore, ish-Shtëpia e Oficerëve, ka një sipërfaqe prej 490 metrash katrorë për kat dhe përbëhet nga dy deri në tre kate. Pra, hoteli nuk është një element i shtuar rishtazi në idenë e projektit, por një strukturë e parashikuar që në dokumentacionin fillestar të investimit.

Nga dhomat retro te muzeu i periudhës komuniste, çfarë parashikon projekti?

Sipas përshkrimit teknik të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ideja është që kompleksi të shndërrohet në një destinacion me karakter historik dhe turistik, duke ruajtur elemente të arkitekturës dhe mobilimit të periudhës komuniste.

Në dokumentacion parashikohet krijimi i dhomave hoteliere të stilit retro, ambienteve të akomodimit në grup me funksion hostel dhe një hapësire muzeale ku do të ekspozohen mobilie dhe pajisje teknologjike të kohës së komunizmit.

Projekti përfshin gjithashtu ambiente për shërbimin e mëngjesit, kafeteri, hapësira administrative dhe recepsionin.

Në letër, investimi synon të krijojë një destinacion të ri turistik për Bulqizën. Por, ndërsa fondet publike vazhdojnë të akordohen për ndërtimin e hoteleve dhe ambienteve të shërbimit, mbetet e paqartë se si do të garantohet administrimi ekonomik i tyre dhe çfarë përfitimi konkret do të kenë banorët e zonës.

Miliona euro për turizmin, por çfarë ndodh me pasurinë e nëntokës së Bulqizës?

Investimi në Parkun Retro ngre edhe një debat më të gjerë mbi prioritetet e zhvillimit të Bulqizës. Qyteti njihet për pasuritë e mëdha minerare dhe veçanërisht për kromin, por një pjesë e konsiderueshme e problematikave të zonës lidhet me kushtet e punës, administrimin e aktivitetit minerar dhe mungesën e mundësive ekonomike për banorët.

Përse fondet publike nuk orientohen me të njëjtën vendosmëri edhe drejt hapjes së vendeve të reja të punës, përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe ndërtimit të shkollave? Përse nuk garantohet një administrim më i mirë i pasurisë minerare, në mënyrë që përfitimet nga nëntoka të përkthehen në zhvillim të qëndrueshëm për komunitetin?

Ndërsa Parku Retro po përthith miliona euro për bare, restorante dhe struktura hoteliere, banorët e Bulqizës presin ende që pasuria natyrore e qytetit të reflektohet në mirëqenien e tyre.

Në këtë situatë, Dritan Agolli dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit duhet të japin shpjegime të qarta për ndryshimet e kontratave, ndarjen e investimit në tri lote, kostot e përgjithshme dhe arsyen përse hoteli që ishte pjesë e konceptit fillestar po financohet përmes një tenderi të ri.

Transparenca mbi çdo euro të shpenzuar është e domosdoshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për projekte që financohen nga paratë publike dhe që duhet të sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.