Sulm me raketa e dronë në Arabinë Saudite, Huthët kanë shënjestër aeroportin e Riadit dhe instalimet e naftës

09/11/2026 20:27

Huthët e Jemenit kanë njoftuar se kanë ndërmarrë sulme të reja me raketa dhe dronë kundër Arabisë Saudite, duke vënë në shënjestër aeroportin e Riadit, instalime ushtarake dhe objekte të industrisë së naftës.

Në një deklaratë publike, lëvizja Huthi, e mbështetur nga Irani, bëri të ditur se sulmet janë ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve ajrore saudite në Jemen, të cilat, sipas tyre, kanë shkaktuar viktima në radhët e popullsisë civile.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, deklaroi në rrjetin social X se në shënjestër të sulmeve kanë qenë edhe instalime naftëmbajtëse të kompanisë gjigante saudite Aramco.

Përshkallëzimi vjen pasi mediat e lidhura me Huthët raportuan për 22 persona të vrarë nga sulmet ajrore saudite në zonën e Sanasë, e cila kontrollohet nga kjo lëvizje.

Numri i viktimave ka arritur në 22, mes tyre gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 30 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, raporton AlJazeera.

Pas sulmeve pothuajse të përditshme me raketa dhe dronë të Huthëve kundër Arabisë Saudite gjatë muajit tetor, përplasjet në territorin e Jemenit duket se janë intensifikuar ditët e fundit.

Top Channel