Rusia dhe Ukraina po tregojnë prapa dyerve të mbyllura njëfarë fleksibiliteti lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territoreve, përpara bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që do të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi.

Kështu ka deklaruar të hënën një zyrtar amerikan, teksa presidenti Donald Trump po shton përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, transmeton Telegrafi.


Zyrtari, i cili informoi gazetarët para nisjes së negociatave të planifikuara të fillojnë të martën, tha se një nga temat kryesore do të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën. Në diskutime pritet të përfshihet edhe mundësia e ofrimit të një mbrojtjeje të ngjashme me nenin 5 të NATO-s për Kievin.

Çështja e territoreve mbetet një nga pengesat kryesore në negociata. Ukraina kërkon që forcat ruse të tërhiqen në kufijtë fillestarë mes dy vendeve, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, synon të marrë kontrollin e të gjithë rajonit të Donbasit.

Megjithatë, sipas zyrtarit amerikan, të dyja palët po shfaqin privatisht gatishmëri për të shqyrtuar mundësinë e një kompromisi. Çdo marrëveshje për territorin pritet të diskutohet në fazat e fundit të negociatave, pasi të arrihet pajtimi për çështje të tjera, përfshirë sistemin e garancive të sigurisë për periudhën pas përfundimit të luftës.

Përpjekjet ndërmjetësuese të SHBA-së në Abu Dhabi do të udhëhiqen nga të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Bisedimet janë planifikuar të zgjasin dy ditë.

Zyrtari amerikan nuk e përjashtoi mundësinë që të dërguarit e Trumpit të udhëtojnë më vonë drejt Rusisë për t’u takuar me Putinin.

Ai theksoi se negociatat do të kërkojnë kohë, por shtoi se pala amerikane ka optimizëm të kujdesshëm se mund të arrihet përparim.

Trump ka vënë vazhdimisht në pah humbjet e mëdha që të dyja palët kanë pësuar që nga pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në fillim të vitit 2022.

“Është hera e parë që ndiejmë se pala ruse ka një dëshirë të vërtetë për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi zyrtari amerikan. /Telegrafi/