Ivan Balliu i jep fund aventurës me Kombëtaren shqiptare pas nëntë vitesh të veshur kuqezi. Mbrojtësi 34-vjeçar ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale tërheqjen nga përfaqësuesja, duke e cilësuar këtë rrugëtim si një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij.
Në mesazhin e lamtumirës, Balliu ka rikujtuar emocionet, sakrificat dhe kujtimet e krijuara gjatë këtyre viteve, duke veçuar edhe pjesëmarrjen në Europianin e vitit 2024 si një nga momentet më krenare të karrierës.
“Nëntë vite në zemrën time. Një privilegj për gjithë jetën. Faleminderit, Shqipëri! Faleminderit, Armand Duka! Përjetë Kuqezi!”, shkruan futbollisti.
Paraqitjen e fundit me fanellën e Shqipërisë, Balliu e regjistroi në mars, në ndeshjet e fazës ‘play-off’ të Botërorit. Më pas, ai mungoi në grumbullimet e Kombëtares për shkak të dëmtimeve.
Tashmë, mbrojtësi ka vendosur të përqendrohet te karriera në klubin spanjoll Rayo Vallecano.
Ivan Balliu debutoi me Shqipërinë më 10 qershor 2017 dhe gjatë nëntë viteve regjistroi 24 paraqitje me fanellën kuqezi.













