
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-komandanti i Mbështetjes dhe Logjistikës pranë Shtabit të Përgjithshëm, Vladimir Qirjazi; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 2008-2011, Maksim Malaj dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Justina Boriçi, dëshmuan të hënën në procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndërit të tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Vladimir Qirjazi, ish-komandanti i Mbështetjes dhe Logjistikës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 2008-2009, deklaroi se i ishte dhënë urdhër nga ministri i Mbrojtjes i atëhershëm, Gazmend Oketa, që të kryente procedurën e privatizimit të ambjenteve të ish-Sport- Klubit Partizani. Gjatë pyetjeve të drejtuara nga prokurorët e SPAK, nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre si dhe nga anëtarët e trupit gjykues, Qirjazi pohoi se pasi ishte njohur me urdhërin, kishte konstatuar se ajo pronë nuk ishte në inventarin e institucionit që drejtonte dhe për këtë arsye kishte ngritur grup pune dhe filluar një procedurë për mundësimin e zbatimit të urdhërit.
Gjenerali në pension, Vladimir Qirjazi deklaroi se i kishte bërë me dije edhe ministrit Oketa se nuk mundej të zbatohej një urdhër për diçka që nuk e kishin në inventar. Ai shtoi se Oketa i kishte thënë se edhe atij ja kishin kërkuar një gjë të tillë, por se nuk i kishte treguar emrin e personit që kërkonte të realizohej procedura e shitjes.
Në vijim, Qirjazi rrëfeu se i kishte mbërritur një grup pune nga zyra Antikorrupsion pranë Kryeministrisë, të cilit i kishte vendosur në dispozicion gjithë aktet, si dhe u kishte shpjeguar se nuk mund të realizohej një procedurë për që pronë që nuk disponohej prej tyre. Pas një raporti të dytë të këtij grupi ku sugjerohej edhe për masë disiplinore ndaj tij, Qirjazi tha se ishte detyruar që shqetësimin ta parashtronte edhe tek ish-Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që në atë kohë ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Sipas Qirjazit, Topi i kishte thënë që të zbatonte ligjin.
“Unë nuk e kisha në kontabilitet dhe nisa këtë procedurë që ta vendosja në shina ligjore. Kur u përfshi antikorrupsioni, e dërgova çështjen deri tek Komandanti i Përgjithshëm”, pohoi Qirjazi ndër të tjera. Ai nënvizoi disa herë se nuk kishte asgjë kundër procedurës së privatizimit, por se nuk mund të kryente veprime për një pronë që nuk zotërohej nga zyra që ai drejtonte.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Maksim Malaj deklaroi se në kohën kur ai drejtonte Shtabin, ish-sportklub “Partizani” nuk ishte në planin e përhapjes. Edhe ai nënvizoi se i kërkohej nga ministri të nënshkruante për diçka që nuk e kishte në inventar. “Ideja ishte se kur Shtabi Përgjithshëm nuk e kishte atë pronë, nuk kishim çfarë të jepnim,” tha ai dhe shtoi se ajo pronë i përkishte Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas Gjeneralit Malaj, në dijeninë e tij, ajo pronë ishte nxjerrë nga plani i përhapjes së Ushtrisë nga ish-ministri Pandeli Majko.
Edhe ish-ministri i Mbrojtjes gjatë periudhës shtator 2005 – mars 2008, Fatmir Mediu deklaroi se nuk e kishte gjetur këtë pronë në planin e përhapjes. Ai deklaroi se privatizimi ishte kërkuar dhe miratuar nga qeveria socialiste e mëparshme. Mediu tha se në dijeninë e tij, kishte pasur që në vitin 2000 një korrespodencë midis ish-ministrit të Ekonomisë, Anastas Angjeli drejtuar ish-ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko për të kryer privatizimin e asaj prone.
Mediu deklaroi se kishte qenë Shtabi i Përgjithshëm që përcaktonte planin e përhapjes, duke u asistuar dhe nga partnerët e huaj. Ai nënvizoi se ministri është një funksion politik dhe nuk ka kompetenca operacionale.
Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Kompesimit dhe Kthimit të pronave, Justina Boriçi deklaroi para gjykatës se ishte emëruar në atë detyrë nga kryeministri asaj kohe, Sali Berisha. Ajo theksoi se nuk kishte pasur asnjëherë ndërhyrje nga Berisha në punën e saj.
Dëshmitari Isa Tare, ish-drejtues i klubit shumësportësh “Partizani” nuk u paraqit në seancën e të hënës. Për shkak të bërjes me dije nga familjarët se ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, u caktua një grup mjeko-ligjorësh për të konstatuar nëse është në gjendje për të dhënë dëshminë.
Dëshmitari tjetër, Paro Laçi, ish-drejtues i klubit të futbollit “Partizani” nuk u paraqit po ashtu në seancën e së hënës. Ndërkohë, gjykatës i ishte drejtuar një kërkesë në emër të tij, por që sipas trupit gjykues, identiteti i autorit mbetej i paverifikuar. Në kërkesën e drejtuar në emër të Paro Laçit, bëhej me dije se ai është në pritje të shqyrtimit të kërkesës për azil në Zvicër dhe për këtë arsye nuk mund të paraqitet. Ai jepte si kontakt të tijin, avokatin Idajet Beqiri, por u konstatua se nuk ishte vendosur ndonjë prokurë e posaçme përfaqësimi mes të dyve. Në informacion, Laçi shkruante se ishte i gatshëm të jepte dëshminë përmes një video-konference, ose me letër-porosi. Gjykata bëri me dije se do të të shprehet seancën e ardhshme lidhur me kërkesën e mbërritur në emër të Laçit.
Në seancën e ardhshme që u caktua të zhvillohet me 25 nëntor, në orën 10:30, u thirrën për të dëshmuar shtetasit Besnik Dervishi, Roland Llazari, Bari Hodaj, Ardjan Shaqaj dhe Erinda Ndroqi.
Sipas SPAK, i pandehuri Jamarbër Malltezi ka përfituar të ardhura mbi 5 milionë euro nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Sali Berisha që mundësuan privatizimin e ambjenteve të sport-klub Partizanit. Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Të pandehurit janë u vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat e SPAK, duke i cilësuar ato të bazuara mbi akte e të dhëna të pavërteta. Malltezi e ka quajtur procesin të situsur nga kundërshtarët politikë.





