Shkodër - Një 34 vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme pasi e zuri korrenti teksa ishte duke riparuar një defekt në një shtyllë elektrike.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 20:36 në fshatin Bardhaj.

Sipas njoftimit të bluve, 34-vjeçari ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje, të cilat kishin mungesë të energjisë elektrike, por pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.

Elektriçisti është dërguar edhe në spitalin e Shkodrës, por fatkeqësisht pa shenja jete.

"Rreth orës 20:36, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër është dërguar pa shenja jete shtetasi A. N., 34 vjeç, me detyrë elektricist i zonës.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se 34-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, gjatë kohës që po kryente riparimin e një defekti në një shtyllë elektrike, pasi ai ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje, të cilat kishin mungesë të energjisë elektrike, në fshatin Bardhaj, por pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.