
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se mbështetja e Gjermanisë për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian do të kushtëzohet nga kontributi i çdo vendi anëtar në mbështetjen financiare të Ukrainës, e cila përballet me një mungesë financimi prej 70 miliardë eurosh vitin e ardhshëm, shkruan Bloomberg.
“Ndihma dypalëshe për Ukrainën shpërndahet në mënyrë të pabarabartë dhe mbulohet kryesisht nga vetëm disa shtete anëtare”, shkroi Merz në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilën e ka siguruar agjencia Bloomberg.
“Një angazhim i përbashkët që të gjithë ne, pa asnjë përjashtim, të kontribuojmë në mënyrë të drejtë për të mbuluar këtë mungesë financimi është një parakusht thelbësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për diskutimin e çdo çështjeje tjetër, veçanërisht atyre që kanë pasoja financiare”, shkroi ai.
Gazeta Financial Times raportoi më herët për këtë letër.
Udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në Dublin të enjten dhe të premten, ku Merz e ka bërë tashmë të qartë se do t’i lidhë diskutimet mbi mungesën e financimit për Kievin me ato për buxhetin e Bashkimit Evropian.
Në fund të vitit të kaluar, udhëheqësit e BE-së ranë dakord t’i japin Ukrainës një hua prej 90 miliardë eurosh, e cila do të financohet përmes një kredie të marrë në tregjet e kapitalit dhe do të garantohet nga buxheti i përbashkët i bllokut.
Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia, të cilat kishin shprehur skepticizëm për financimin e Ukrainës, zgjodhën të mos merrnin pjesë në mbështetjen e kësaj huaje.