“Lekët i lashë në kazino”/ Grabiti 120 mijë euro nga dy banka në Tiranë, Robert Duka: U dhashë dy shokëve nga 3 mijë euro sepse…

10/11/2026 08:01

Një seri përgjimesh telefonike, të kombinuara me prova të tjera, si analizimi i pamjeve filmike dhe i automjetit të marrë me qira, i kanë mundësuar Policisë Kriminale të Tiranës të identifikojë dhe të arrestojë mbrëmjen e djeshme autorin e dy grabitjeve të bankave në kryeqytet, Robert Duka.

Robert alias Albert Duka dyshohet se pjesën më të madhe të shumës prej afro 120 mijë eurosh, të vjedhur në dy filialet e bankave “OTP Bank” dhe “Raiffeisen Bank”, e ka shpenzuar në disa kazino të Tiranës.

Mësohet se një shumë prej 6 mijë eurosh, Duka ia ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, duke i dorëzuar secilit nga 3 mijë euro.

Kjo shumë tashmë është sekuestruar nga policia, pas kontrolleve të ushtruara nga efektivët e Tiranës në qytetin e Vlorës.

Dy personat janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se paratë ua kishte dhënë Robert Duka për t’u shlyer një borxh që ai kishte ndaj tyre. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e Dukës, Policia Kriminale ka arritur të sekuestrojë vetëm 2 200 euro.

Gjatë komunikimit me oficerët e policisë, Albert Duka u ka treguar se paratë dhe eurot e vjedhura në dy bankat, më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026, i kishte shpenzuar duke luajtur në disa kazino në Tiranë.

Për të verifikuar këto pretendime, policia dhe prokuroria mësohet se u kanë kërkuar sot informacion katër kazinove të njohura në kryeqytet, për të konfirmuar nëse Albert Duka ka qenë klient i regjistruar i tyre. Në rast se po, institucioneve u është kërkuar të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës, si dhe pamjet filmike.

Megjithatë, pretendimin se paratë e grabitura i kishte shpenzuar në kazino, Robert Duka nuk e ka dhënë në një deklarim të mbajtur me procesverbal. Këto pretendime ai i ka shprehur vetëm gjatë komunikimit me punonjësit e policisë dhe prokurorin e çështjes.

Mësohet se Robert Duka nuk ka dhënë deklarim me procesverbal, pasi një gjë e tillë nuk është lejuar nga avokati i tij mbrojtës.

Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e Robert Dukës, e cila punon pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Ajo ka deklaruar se shumën prej 120 mijë eurosh e kishin siguruar nga shitja e një apartamenti në zonën e stadiumit “Air Albania”.

Gruaja ka pohuar para policisë se nuk kishte pasur dijeni për përfshirjen e bashkëshortit të saj në grabitjet e bankave. Pas dhënies së deklarimeve, ajo është lënë e lirë, ndërsa bashkëshorti i saj është arrestuar për veprën penale “Grabitje me armë të bankave”, e cila parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim.

Ditën e nesërme pritet që Albert Duka të dalë përpara Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar nëse Duka ka pasur bashkëpunëtorë në realizimin e dy grabitjeve. Policia dhe prokuroria e Tiranës po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, pasi dyshohet se një person i dytë e ka larguar me automjet autorin pas grabitjes së “OTP Bank”, më 2 qershor 2026.

Edhe mënyra e realizimit të grabitjes në filialin e “Raiffeisen Bank” paraqet ngjashmëri me atë të “OTP Bank”.

Sipas hetuesve, të dyja grabitjet janë kryer në datën 2 të muajve përkatës. Më 2 qershor 2026, Albert Duka, i maskuar, ka hyrë me shpejtësi në ambientet e “OTP Bank” dhe, pasi ka marrë një shumë parash nën kërcënimin e armës, është larguar nga zona me një monopatinë elektrike.

E njëjta siluetë është konstatuar edhe më 2 nëntor 2026, në ambientet e “Raiffeisen Bank”. Edhe në këtë rast, Albert Duka, i maskuar dhe nën kërcënimin e një arme që në pamje ngjante me pistoletë, ka hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe ka arritur të marrë një shumë parash nga arka.

Autori dyshohet se ka përdorur të njëjtën skemë largimi si në rastin e parë. Ai është larguar qetësisht me monopatinë elektrike, të cilën, pasi ka përshkuar një distancë të caktuar, e ka futur në një automjet të marrë me qira. Më pas është larguar me makinë, duke shmangur kështu kontrollet e policisë.

Më herët, Duka ka qëndruar në Greqi, ku dyshohet se ka kryer 26 grabitje me armë të bankave.

 

Top Channel