
E ardhmja e Michael Carrick te Manchester United duket gjithnjë e më e pasigurt. Kriza e rezultateve këtë sezon ka shtuar presionin mbi trajnerin anglez, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë mundësinë e një ndryshimi në pankinë.
Sipas gazetarit të njohur David Ornstein, drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë nisur të studiojnë disa kandidatura për të marrë drejtimin e skuadrës, pavarësisht se klubi ende nuk ka komunikuar një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e Carrick.
Në mesin e emrave që po shqyrtohen janë Mauricio Pochettino, aktualisht trajner i kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eddie Howe, ish-trajneri i Neëcastle United, si dhe Julian Nagelsmann, ish-tekniku i Gjermanisë. Sipas raportimeve, Manchester United synon të qartësojë situatën përpara përballjes së shumëpritur me Liverpoolin në “Anfield”, e parashikuar pas 13 ditësh.
Vendimi përfundimtar për të ardhmen e Carrick pritet të kalojë edhe përmes miratimit të bashkëpronarit Jim Ratcliffe, në bashkëpunim me familjen Glazer, e cila zotëron shumicën e aksioneve të klubit. Carrick dhe skuadra e tij kishin marrë një tjetër mundësi për të kthyer situatën në favorin e tyre pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj AFC Bournemouth muajin e kaluar. Megjithatë, tri ndeshjet e mëvonshme nuk kanë sjellë përmirësimin e pritur, me Manchester United që ka regjistruar vetëm një fitore, atë ndaj Romës në UEFA Champions League.
Këto rezultate kanë shtuar dyshimet mbi vazhdimësinë e trajnerit anglez, i cili mund të largohet nga detyra pas një periudhe relativisht të shkurtër në drejtimin e skuadrës. Kujtojmë se Manchester United emëroi Michael Carrick në postin e trajnerit të parë me kontratë dyvjeçare në majin e kaluar, pasi ai kishte impresionuar gjatë periudhës së tij si trajner i përkohshëm. Ai kishte marrë drejtimin e skuadrës në janar, pas largimit të portugezit Ruben Amorim.
