Vendosni fjalën kyçe....

Kina tejkalon 1 trilion dollarë suficit tregtar, bumi i inteligjencës artificiale rrit eksportet



Suficiti tregtar i Kinës ka kaluar shifrën 1 trilion dollarë në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, duke arritur në 1,04 trilionë dollarë deri në fund të tetorit. Rritja e eksporteve, e nxitur edhe nga kërkesa globale për produkte të lidhura me inteligjencën artificiale, ka ndihmuar ekonominë e dytë më të madhe në botë të përballojë vështirësitë në tregun e brendshëm, përcjell Euronews.

Sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës, eksportet u rritën me 35,2% në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke arritur në 412,3 miliardë dollarë. Ndërkohë, importet u zgjeruan me 41,6%, në 307,1 miliardë dollarë.

Rritja e eksporteve lidhet pjesërisht me kërkesën e lartë ndërkombëtare për produkte të përdorura në zhvillimin e inteligjencës artificiale, përfshirë çipat kompjuterikë, serverët për qendrat e të dhënave dhe pajisjet e rrjeteve.

Eksportuesit janë kthyer në një nga shtytësit kryesorë të ekonomisë kineze, në një kohë kur konsumi i brendshëm mbetet i dobët dhe sektori i pasurive të paluajtshme vijon të përballet me probleme të zgjatura. Analistët vlerësojnë se Pekini po mbështetet gjithnjë e më shumë te eksportet për të arritur objektivin e rritjes ekonomike prej 4,5 deri në 5% për këtë vit.

Me këtë ritëm, Kina pritet të tejkalojë edhe rekordin e vitit të kaluar, kur suficiti tregtar arriti në 1,2 trilionë dollarë. Në vitin 2025, kufiri prej 1 trilion dollarësh u kap në muajin nëntor, ndërsa këtë vit u arrit më herët.

Megjithatë, zgjerimi i eksporteve ka shtuar tensionet tregtare me disa partnerë të rëndësishëm të Kinës, të cilët shqetësohen se produktet kineze me çmime më të ulëta po ushtrojnë presion mbi prodhuesit vendas.

Tensionet tregtare me SHBA-në dhe BE-në

Të dhënat tregojnë se eksportet kineze drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 32,9% në tetor. Zhvillimet vijnë përpara takimit të pritshëm mes presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut amerikan Donald Trump, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet më 18 dhe 19 nëntor në Shenzhen të Kinës.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet tregtare mes Pekinit dhe Bashkimit Evropian janë shtuar gjatë muajve të fundit. Suficiti tregtar i Kinës me 27 vendet e BE-së arriti në 310,7 miliardë dollarë në periudhën janar-tetor, nga 241,6 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje ka shtuar presionin ndaj Brukselit për të mbrojtur industrinë evropiane nga konkurrenca e produkteve kineze. Muajin e kaluar, bisedimet në Pekin mes komisionerit të BE-së për Tregtinë, Maroš Šefčovič, dhe homologut kinez Wang Wentao përfunduan me një marrëveshje për kufizimin e eksporteve të automjeteve hibride drejt Evropës.

Pavarësisht rritjes së eksporteve, konsumi i brendshëm në Kinë mbetet i dobët prej disa vitesh. Të dhënat e publikuara të hënën treguan gjithashtu se inflacioni vijon të jetë dukshëm nën objektivin zyrtar prej rreth 2%.