Kamëz/ Lëvizte i armatosur pranë liqenit të Çekrezës, arrestohet 42-vjeçari, i gjendet edhe kokainë

Një 42-vjeçar me precedentë kriminalë është arrestuar në Kamëz, pasi lëvizte i armatosur në afërsi të liqenit të Çekrezës. Operacioni policor u kodua “Kontigjenti”, ndërsa në pranga ra shtetasi me inicialet Z. B., i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Sipas Policisë, informacioni për personin e armatosur u administrua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5, të cilat organizuan menjëherë ndërhyrjen për kapjen e tij. Gjatë kontrollit fizik, 42-vjeçarit iu gjet një pistoletë me mulli, municion dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Arma e zjarrit, municioni dhe lënda e dyshuar narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia bën me dije se arrestimi u krye në kuadër të kontrolleve ndaj personave me precedentë kriminalë, të cilët konsiderohen me rrezikshmëri për kryerjen e veprave penale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




