Përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës janë duke zhvilluar bisedime me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Takimet kanë nisur sot në Abu Dhabi dhe pritet të zgjasin dy ditë. Në procesin e ndërmjetësimit amerikan janë përfshirë të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Në fokus të diskutimeve janë kushtet e mundshme të paqes, garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe krijimi i një kuadri të ri sigurie për Evropën, raporton reutes.
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshjeje më të gjerë, duke theksuar se të dyja palët janë të lodhura nga luftimet.
Megjithatë, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë dallime të thella, veçanërisht për çështjen e rajonit të Donbasit. Rusia kërkon kontrollin e plotë të tij, ndërsa Ukraina kundërshton dorëzimin e territoreve të saj.
Ndërkohë, Ukraina kërkon që edhe vendet evropiane të kenë rol në procesin diplomatik, pasi çdo marrëveshje e ardhshme lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e kontinentit.
Pavarësisht deklaratave optimiste nga Uashingtoni, deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Rezultati i negociatave në Abu Dhabi mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike në lidhje me luftën në Ukrainë.