E martë, 10 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Peleshi kërkon 27 milionë euro për Kuvendin, administratën e çon në 500 punonjës
Lajme

Peleshi kërkon 27 milionë euro për Kuvendin, administratën e çon në 500 punonjës

448 mijë euro për Inteligjencën Artificiale dhe Media Hub

Administrata e Kuvendit të Shqipërisë kërkon një rritje të konsiderueshme të buxhetit për vitin 2027, duke e çuar faturën totale të shpenzimeve të propozuara në 27 milionë euro, ose 5 milionë euro më shumë se tavani i parashikuar në projektbuxhet. Në të njëjtën kohë, institucioni synon të zgjerojë strukturën e punonjësve në 499 persona dhe të financojë një sërë projektesh teknologjike, ku përfshihen Inteligjenca Artificiale, Media Hub, sistemet e sigurisë dhe digjitalizimi i arkivës.

Kërkesat janë paraqitur në një dokument zyrtar të datës 6 nëntor 2026, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Byrosë së Kuvendit dhe Sekretariatit për Buxhetin. Nga përmbajtja e tij rezulton se administrata parlamentare kërkon rishikimin e fondeve të planifikuara, duke argumentuar se nevojat reale të institucionit janë më të larta se financimi i parashikuar në projektligjin për buxhetin e vitit 2027.

Projektbuxheti fillestar përcakton një tavan prej 22 milionë eurosh për Kuvendin, ndërsa buxheti i vitit 2026 ishte rreth 23 milionë euro. Megjithatë, kërkesa e re e administratës e çon shumën e nevojshme në 27 milionë euro, duke kërkuar kështu një shtesë prej 5 milionë eurosh krahasuar me kufirin e përcaktuar për vitin e ardhshëm.

499 punonjës në administratën e Kuvendit, kërkohen edhe 10 vende të reja pune

Një prej ndryshimeve të propozuara lidhet me zgjerimin e organikës së Kuvendit. Në projektbuxhet janë parashikuar 489 punonjës, por administrata kërkon që numri i pozicioneve të punës të arrijë në 499, me një shtesë prej 10 vendesh.

Sipas argumentimit të paraqitur në dokument, tetë prej pozicioneve të reja do të jenë këshilltarë parlamentarë për komisionet. Kjo kërkesë lidhet me Vendimin nr. 83/2026 të Kuvendit, përmes të cilit është rritur numri i komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe me shtimin e ngarkesës së tyre në shqyrtimin e projektligjeve dhe akteve të tjera.

Dy pozicionet e mbetura parashikohen për shërbimet mbështetëse, me argumentin e forcimit të kapaciteteve administrative, teknike dhe logjistike të institucionit.

Pra, ndërsa Kuvendi kërkon më shumë para nga buxheti i shtetit, një tjetër objektiv është zgjerimi i administratës me 10 punonjës të rinj, duke e çuar organikën në pragun e 500 personave.

Inteligjenca Artificiale dhe Media Hub, qindra mijëra euro për projektet teknologjike

Përveç shpenzimeve të personelit, një pjesë e konsiderueshme e kërkesave lidhet me investimet kapitale. Për vitin 2027, administrata e Kuvendit paraqet nevoja për rreth 2 milionë euro investime, ndërkohë që në projektbuxhet janë përfshirë vetëm 528 mijë euro.

Ndër projektet me faturën më të lartë financiare është Media Hub – Al-Memoria Digjitale dhe Inteligjenca e Punimeve Parlamentare, për të cilin kërkohen 448 mijë euro gjatë vitit 2027.

Ky projekt lidhet me një kontratë të lidhur në nëntor 2026, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe kompaninë Albanian Digital Solution (ADS) sh.a. Synimi është ngritja e një sistemi për administrimin e memories digjitale dhe përpunimin e informacionit mbi veprimtarinë parlamentare.

Një tjetër zë financiar është përditësimi i sistemit të gjurmimit legjislativ, përmes integrimit të moduleve të Inteligjencës Artificiale. Për këtë ndërhyrje kërkohen 88 mijë euro. Sipas dokumentit, sistemi i ri do të përdorë të dhëna të marra përmes API-ve dhe do të integrojë funksionalitete të IA-së për modernizimin e procesit të ndjekjes së veprimtarisë legjislative.

352 mijë euro për Microsoft, mbi gjysmë milioni për rrjetin Wireless

Në listën e shpenzimeve të kërkuara për vitin e ardhshëm përfshihen edhe investime të tjera të konsiderueshme në teknologji dhe siguri.

Për blerjen e licencave Microsoft 365 E5 janë parashikuar 352 mijë euro. Ky shpenzim argumentohet me nevojën për rritjen e sigurisë kibernetike, pas sulmeve të fundit ndaj sistemeve, si dhe me mbrojtjen më të avancuar të komunikimeve elektronike dhe të dhënave të deputetëve dhe administratës.

Ndërkohë, një tjetër investim prej 551 mijë eurosh kërkohet për rinovimin e rrjetit Wireless në të dy godinat e Kuvendit. Sipas relacionit, teknologjia ekzistuese është amortizuar dhe ka nevojë për zëvendësim.

Në listën e projekteve është përfshirë edhe digjitalizimi i arkivës parlamentare, për të cilin kërkohen 220 mijë euro. Projekti parashikon skanimin e dokumentacionit me rezolucion 300 DPI dhe krijimin e një portali të brendshëm, ku do të mund të publikohet dhe konsultohet koleksioni i dokumenteve të arkivuara.

275 mijë euro për 26 ekspertë të Reformës Territoriale

Shpenzimet nuk përfundojnë te teknologjia dhe zgjerimi i administratës. Dokumenti evidenton edhe kërkesa të konsiderueshme për financimin e ekspertëve të jashtëm që angazhohen në komisionet parlamentare.

Një prej zërave të veçantë është Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale, për të cilin kërkohen 275 mijë euro për angazhimin e 26 ekspertëve. Kjo shumë lidhet vetëm me këtë komision dhe nuk përfshin nevojat financiare për ekspertët që mund të angazhohen në komisionet e tjera parlamentare.

Një tjetër kërkesë është shtesa prej rreth 110 mijë eurosh për shpenzimet e udhëtimeve dhe dietave të deputetëve. Sipas dokumentit, kjo nevojë financiare lidhet me efektet që sjell ligji për rritjen e pagave të deputetëve.

Në tërësi, kërkesa e re buxhetore paraqet një zgjerim të ndjeshëm të shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2027. Përtej 10 vendeve të reja të punës, administrata e drejtuar nga Niko Peleshi kërkon miliona euro shtesë për investime teknologjike, sisteme të Inteligjencës Artificiale, siguri kibernetike, ekspertë dhe shpenzime të tjera institucionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.