Një incident i pazakontë ka ndodhur në Maldive, ku disa zhytës janë përfshirë në një përleshje fizike rreth 15 metra nën sipërfaqen e detit. Pamjet e konfliktit, të publikuara në internet, tregojnë momentet kur një grup personash përplasen mes tyre gjatë një zhytjeje në një zonë shkëmbore nënujore.

Ngjarja ndodhi më 28 tetor 2026, në vendin e njohur si Kuda Rah Thila. Instruktori kinez i zhytjes, Xiao Du, i cili në atë moment ishte jashtë detyrës, pretendon se po zhytej me një mik kur tre persona iu afruan dhe nisën konfliktin.

Sipas dëshmisë së tij, njëri prej tyre e shtyu nga poshtë, ndërsa më pas situata u përshkallëzua në një përleshje. Pamjet tregojnë një person që i kap krahun, ndërsa një tjetër afrohet drejt fytyrës së tij. Du pretendon se tentuan t’i hiqnin maskën dhe aparaturën e frymëmarrjes, duke i rrezikuar jetën. Pas daljes në sipërfaqe, instruktori u përball me personat e përfshirë dhe i akuzoi për sulm.

Kompania Maldives Legend Fleet konfirmoi incidentin dhe njoftoi pezullimin e njërit prej instruktorëve të saj. Ndërkohë, Shoqata Kombëtare e Lundrimit në Maldive ka nisur hetimet, duke kërkuar një shqyrtim të paanshëm të ngjarjes. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin përfundimet e nxituara deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.