Volodymyr Zelensky e ka sfiduar Putinin që të takohen në Antarktidë për një samit paqeje historik, pas një ngërçi nëntëmujor në negociata. Kjo sfidë vjen mes frikës se Rusia po përpiqet të minojë bisedimet vendimtare që filluan të martën në Abu Dabi, ndërsa një zëdhënës i Kremlinit ka kërcënuar me një luftë gjithëpërfshirëse kundër Perëndimit. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, anëtar i ekipit negociator, paralajmëroi se një konflikt i tillë do të ishte “ndryshe dhe shumë i shkurtër”. Ndërkohë, ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Andriy Melnyk, paralajmëroi se nuk mund të ketë ndonjë përparim thelbësor derisa Putini dhe Zelensky të takohen. Por presidenti rus ka refuzuar të ulet në tryezë, përveçse nëse bisedimet do të mbahen në Moskë, vend ku siguria e Zelenskyt nuk mund të garantohet. Melnyk propozoi Antarktidën, ku si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë baza shkencore, duke theksuar kështu absurditetin e refuzimit të Putinit për të rënë dakord mbi vendndodhjen e takimit. “Do të shohim se çfarë do të dalë nga bisedimet trepalëshe”, tha ai duke iu referuar negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, ku Uashingtoni ka hedhur idenë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me ato të NATO-s. “Por një gjë është e qartë: pa një samit në nivelin më të lartë, mes Putinit dhe Zelenskyt, një përparim politik është vështirë të arrihet”, tha Melnyk. “Kjo është arsyeja pse udhëheqësi i Ukrainës është i gatshëm të takohet me Putinin në rastin e parë të mundshëm, qoftë në Florida në dhjetor, në margjinat e samitit të G20-ës, apo kudo tjetër në botë. “Nëse është e nevojshme, madje edhe në Antarktidë, kudo, por jo në Moskë”.