Një histori e veçantë mirënjohjeje vjen nga Teksasi në SHBA, ku një grua që punoi për 39 vite si sanitare në një shkollë fillore do të nderohet në një mënyrë të pazakontë. Shkolla e re që pritet të hapet në gusht të vitit të ardhshëm do të mbajë emrin e saj, Marilyn Hampton, si vlerësim për përkushtimin dhe ndihmën që u ka dhënë ndër vite mijëra nxënësve.
Hampton punoi për 39 vite në distriktin shkollor Aubrey, nga ku doli në pension në vitin 2022. Por puna e saj shkonte shumë përtej detyrave të një sanitareje. Ajo ndihmonte nxënësit me detyrat e shkollës, blinte materiale mësimore për fëmijët që nuk kishin mundësi ekonomike dhe ua dërgonte personalisht. Gjithashtu, angazhohej edhe në aktivitetet sportive të shkollës, duke punuar në biletarinë e ndeshjeve të futbollit.
Për të vlerësuar kontributin e saj, drejtuesit e distriktit vendosën t’i organizonin një surprizë gjatë mbledhjes së bordit drejtues më 21 tetor. Hampton u ftua me pretendimin se do të diskutohej një çështje që lidhej me shkollën, por në fakt e priste një lajm që nuk e kishte imagjinuar.
Mbikëqyrësi i distriktit, Shannon Saylor, i kërkoi të hapte një tapet të kuq, ku ishte shkruar emri “Marilyn Hampton Elementary School”. Në atë moment ajo shpërtheu në lot gëzimi.
“Ende nuk mund ta besoj. Nuk kam pushuar së qari”, u shpreh Hampton për televizionin amerikan UFAA.

Saylor vlerësoi se, megjithëse Hampton nuk kishte pasur titullin zyrtar të një mësueseje, ajo kishte qenë një edukatore në çdo kuptim të fjalës, duke lënë gjurmë te nxënësit dhe komuniteti.
E emocionuar, gruaja falënderoi të gjithë të pranishmit. Kur pa në ekran pamjen e shkollës së re, ku shfaqej edhe emri i saj, bëri edhe një batutë: “Shpresoj ta mbajnë pastër”, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Hampton tregoi gjithashtu se ishte e vetmja nga tetë fëmijët e familjes që kishte përfunduar shkollën e mesme. Dikur ishte ndier e zhgënjyer që nuk kishte mundur të vazhdonte universitetin, por me kalimin e viteve kishte kuptuar se kishte gjetur vendin e saj.
“Zoti të vendosi aty ku duhej të ishe”, ishte mënyra se si ajo e përshkroi rrugëtimin e saj.
Shkolla e re pritet të hapet në gusht dhe do të mbajë emrin e gruas që për gati katër dekada u kujdes jo vetëm për ambientet, por edhe për fëmijët që kalonin çdo ditë në dyert e saj.
