Mafia shqiptare në aleancë me ‘Ndranghetën dhe organizatat italiane, hetimet zbulojnë bashkëpunimin në trafikun e drogës dhe bizneset kriminale
Organizatat mafioze në Itali po krijojnë gjithnjë e më shumë aleanca mes tyre, duke lënë mënjanë rivalitetet dhe ndarjet tradicionale për të rritur fitimet nga aktivitetet kriminale. Në këto bashkëpunime përfshihen edhe organizata shqiptare, të cilat, sipas hetimeve të autoriteteve italiane, kanë krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me grupet mafioze kalabreze të ‘Ndranghetës.
Ky fenomen është trajtuar në një raport prej 111 faqesh të Komisionit Parlamentar Antimafia në Itali, me titull “Mënyrat e reja të veprimit të ‘Ndranghetës në Italinë e Veriut”, ku përshkruhet mënyra se si grupet kriminale po bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, nga trafiku i drogës te tenderët publikë dhe aktivitetet e biznesit.
Sipas raportit, nuk bëhet fjalë për krijimin e një organizate të vetme mafioze, ku grupet tradicionale si ‘Ndrangheta, Camorra, Cosa Nostra dhe mafia shqiptare të kenë humbur identitetin e tyre. Përkundrazi, ato ruajnë strukturat dhe lidhjet e tyre, por krijojnë marrëveshje dhe aleanca për të realizuar interesa të përbashkëta ekonomike.
Në Milano, ky rrjet bashkëpunimi është emërtuar “Hydra”, ndërsa hetimet kanë nxjerrë në pah se grupet kriminale nuk veprojnë më domosdoshmërisht të ndara sipas përkatësisë mafioze. Ato bashkëpunojnë kur kanë interesa të përbashkëta, duke përdorur edhe të njëjtët ndërmjetës, profesionistë dhe persona me ndikim në botën e biznesit.
Prokurori Kombëtar Antimafia i Italisë, Giovanni Melillo, ka theksuar se hetimet për aktivitetet ndërkombëtare të mafias dhe depërtimin e saj në tregjet e biznesit po zbulojnë gjithnjë e më shumë forma të tilla bashkëpunimi.
Sipas tij, edhe në trafikun e drogës dallimet tradicionale mes organizatave mafioze po zbehen. Si shembull ai ka përmendur hetimet dhe arrestimet përgjatë aksit Reggio Calabria-Milano, ku është zbuluar se persona të lidhur historikisht me Camorrën kanë kryer funksione ndërmjetësimi edhe në interes të ‘Ndranghetës, duke vepruar në rrjete me shtrirje ndërkombëtare.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimeve lidhet me marrëdhëniet mes grupeve kriminale italiane dhe atyre shqiptare. Prokurori i Gjenovës, Nicola Piacente, ka deklaruar se hetimet e fundit kanë evidentuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe strategjike mes organizatave kriminale kalabreze dhe grupeve shqiptare.
Kjo tregon se trafiku i narkotikëve nuk kontrollohet më domosdoshmërisht nga një organizatë e vetme, por mund të realizohet përmes marrëveshjeve mes grupeve të ndryshme kriminale.
Raporti përmend gjithashtu hetime në Torino, ku është zbuluar se ‘Ndrangheta dhe Cosa Nostra dyshohet se kanë përdorur të njëjtin kontabilist për të shmangur rregullat e tregut financiar. Një tjetër çështje gjyqësore lidhet me një marrëveshje të dyshuar mes dy grupeve për menaxhimin e makinave elektronike të lojërave të fatit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se familje kriminale siciliane blinin në mënyrë të vazhdueshme sasi të mëdha kokaine nga grupet kalabreze. Ndërsa një trafikant droge, i cili më vonë bashkëpunoi me drejtësinë, ka deklaruar se u shiste rregullisht qindra kilogramë drogë grupit Strisciuglio në Bari dhe një klani të Camorrës.
Sipas autoriteteve italiane, këto zhvillime tregojnë një ndryshim në mënyrën e funksionimit të krimit të organizuar. Grupet mafioze po ruajnë identitetin e tyre, por po krijojnë rrjete bashkëpunimi për të zgjeruar aktivitetet dhe për të rritur fitimet, duke i bërë marrëdhëniet mes organizatave kriminale gjithnjë e më të ndërthurura.
/tvklan.al










