VIDEO/ Ndodh edhe kështu, kryebashkiaku zgjidhet me hedhje monedhe pas barazimit të votave në zgjedhje 

10/11/2026 12:43

Një garë zgjedhore me një rezultat të pazakontë është regjistruar në Peru, ku zgjedhja e kryebashkiakut është vendosur me hedhjen e një monedhe, pasi dy kandidatët morën saktësisht të njëjtin numër votash.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Conima-s, pranë liqenit Titikaka, ku kandidatët Rubén Quispe Capajaña dhe Salomino Mamani Quispe siguruan nga 671 vota secili, ose 27.739% të votave të vlefshme.

Për të zgjidhur barazimin, autoritetet zgjedhore organizuan më 4 nëntor një short publik, ku u hodh një monedhë me vlerë një sol, monedha zyrtare e Perusë. Fati i buzëqeshi Rubén Quispe Capajaña-s, kandidatit të partisë Somos Perú, i cili kishte zgjedhur paraprakisht njërën anë të monedhës. Rezultati i hedhjes i dha atij fitoren dhe postin e kryebashkiakut.

Edhe pse mënyra e zgjedhjes mund të duket e pazakontë, ajo parashikohet nga legjislacioni zgjedhor në Peru. Sipas ligjit, në rastin kur dy kandidatë marrin të njëjtin numër votash, fituesi përcaktohet përmes shortit.

Kandidati humbës, Salomino Mamani Quispe, e pranoi se procedura ishte e ligjshme, por kërkoi ndryshimin e rregullave, duke propozuar që në raste të tilla të zhvillohet një raund i dytë zgjedhor. Kështu, pas një gare që përfundoi në barazim të plotë në kutitë e votimit, fati i një bashkie në Peru u vendos nga një monedhë.

Top Channel