Rreziku nga bombolat e gazit, ekspertët: Pajisjet të jenë me detektore dhe valvula mbrojtëse

Shpërthimi i gazit në një pallat në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe la në qiell të hapur 15 familje, rikthen në vëmendje problematikën e sigurisë në përdorimin e bombolave dhe pajisjeve të gazit në banesa. Ekspertët e sigurisë teknike vlerësojnë se rreziku mund të minimizohet ndjeshëm përmes pajisjeve mbrojtëse, të cilat duhet të bëhen pjesë e detyrueshme e çdo instalimi. Me afrimin e stinës së dimrit incidentet me bombolat e gazit bëhen më të shpeshta
“Përdorimi i bombolave 5-litërshe në ambientet e mbyllura është i ndaluar. Ato janë të destinuara për t’u përdorur në ambiente të hapura, si në rastet e kampingut etj”, tha Emirion Sota, shef i Shërbimit Zjarrëfikës Elbasan.
Inxhinieri Agim Daja, i specializuar në sigurinë e përdorimit të gazit në impiante industriale, kërkon ndërhyrjen e qeverisë për vendosjen e standardeve të detyrueshme.
“Sistemet e gazit që përdoren aktualisht në familje janë të pasigurta. Në momentin e montimit, ato duhet të pajisen me dy sensorë mbrojtës. tregtimi i gazit duhet të kushtëzohet me pajisjen e bombolave me detektorë të rrjedhjes dhe valvula mbrojtëse, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave”, u shpreh Daja.
Përveç përcaktimit të standardeve të sigurisë, Daja e sheh të domosdoshëm edhe kontrollin institucional për zbatimin e tyre. Ai thekson se pajisjet mbrojtëse kanë kosto të ulët, ndërsa përgjegjësia për garantimin e sigurisë duhet të shtrihet nga tregtuesit te institucionet inspektuese.




