Nga Alba Kepi/
Zoti Hita, shqiptarët nuk kanë nevojë për një katalog me orë fluturimi, dronë, helikopterë dhe koordinata. Zoti Ziu nuk na intereson sa orë keni shoqëruar oficerët e Guardia di Finanza-s nga aeroporti në hotel, apo sa misione personel keni angazhuar. Shqiptarët duan rezultatin që mungon në prezantimin tuaj: sa drejtues të grupeve kriminale janë arrestuar, sa rrjete janë goditur dhe sa territore janë shkëputur realisht nga ndikimi i narkotrafikut?
Në konferencën me Guardia di Finanza-n u raportuan 132 mijë fidanë kanabisi të asgjësuar, 165 persona të arrestuar, ndaluar apo proceduar, 89 punonjës institucionesh të proceduar, 84 dronë, 62 misione fluturimi dhe 1.779 koordinata. U fol për avionë, helikopterë, sensorë dhe mbikëqyrje të territorit. Por mungoi informacioni më i rëndësishëm: kush qëndron pas këtij aktiviteti kriminal dhe çfarë goditjesh konkrete janë dhënë ndaj strukturave që e organizojnë?
Shkodra, Fieri, Kruja dhe zona të tjera të vendit vazhdojnë të kenë sipërfaqet më të mëdha të mbjella me kanabis. Por publiku ka të drejtë të dijë nëse pas parcelave të zbuluara janë identifikuar grupe të strukturuara kriminale, kush i financon, kush siguron logjistikën, kush organizon kultivimin dhe kush u garanton mbrojtje.
Sepse një parcelë nuk mbillet vetë. Pas saj ka njerëz që financojnë, organizojnë, kontrollojnë, rekrutojnë, transportojnë dhe përfitojnë. Ka hallka të ndryshme të një zinxhiri kriminal, nga kultivuesit deri te organizatorët, financuesit dhe përfituesit e vërtetë. E kjo është puna e hetimeve tuaja pas orëve fluturuese te Guardia di Finanza.
Nuk mjafton të arrestohet fshatari që kujdeset për parcelën, kur financuesit, organizatorët dhe përfituesit mbeten jashtë hetimit. Nuk mjafton të asgjësohen bimët, nëse rrjeti që i mbjell dhe i tregton vazhdon të funksionojë. Goditja duhet të shkojë deri te burimi i parave, pronësia reale e pasurive dhe strukturat që mundësojnë vazhdimësinë e këtij biznesi kriminal.
Vetë përfaqësuesit italianë sikur thanë, kanë evidentuar ndryshimin e mënyrës së veprimit të kultivuesve, të cilët po zhvendosen drejt zonave më të thepisura malore, më të izoluara dhe më të vështira për t'u zbuluar. Por si mbërrijnë deri aty, pa i parë kush? Këtë prisnim të dëgjonim nga ju autoritetet shqiptare për rrjetet që përshtaten, për logjistikën që i mbështet dhe për personat që organizojnë aktivitetin në këto territore.
Zoti Hita, mos na tregoni vetëm sa parcela keni zbuluar. Tregoni sa organizatorë, financues dhe drejtues rrjetesh keni identifikuar. Sa pasuri të lidhura me narkotrafikun janë sekuestruar? Sa hetime financiare janë përfunduar? Sa struktura kriminale janë çmontuar dhe sa prej tyre kanë humbur mundësinë për të vepruar në territoret ku zhvillonin aktivitetin?
Në prezantim u fol edhe për avionin ATR 72, helikopterin AW139, 25 orët e fluturimit me avion, 175 orët me helikopterë dhe mbikëqyrjen e 67% të territorit shqiptar. Por teknologjia nuk është rezultat në vetvete. Rezultati matet me goditjen e organizatorëve, sekuestrimin e pasurive dhe çmontimin e rrjeteve kriminale. Sa nga këto operacione kanë çuar deri te kokat e organizatave?
Dhe nuk mund të pranohet që identifikimi i financuesve dhe organizatorëve të paraqitet si prioritet për vitin 2027. Kjo është detyrë e institucioneve sot. Publiku kërkon bilancin e punës së deritanishme, jo premtime për atë që duhet të ishte bërë prej kohësh.
Një tjetër çështje alarmante është përfshirja e të miturve në shitjen e drogës pranë shkollave. Të miturit mund të jenë viktima të rekrutimit dhe shfrytëzimit nga rrjetet kriminale. Ata nuk janë bosët e këtij aktiviteti dhe nuk mund të përdoren si statistikë suksesi, ndërsa personat që i rekrutojnë, i furnizojnë dhe përfitojnë prej tyre mbeten jashtë vëmendjes.
Kur raportoni 31 operacione pranë shkollave, tregoni kush qëndron pas furnizimit me drogë, kush i rekruton të miturit, kush i organizon dhe çfarë masash janë marrë ndaj personave që i shfrytëzojnë. Përgjegjësia duhet të shkojë te organizatorët, jo të përfundojë te hallka më e pambrojtur e zinxhirit.
Edhe ministri Ervin Demo duhet të japë përgjigje konkrete. Integrimi europian nuk mund të përdoret si mbulesë retorike përballë problemeve të sigurisë. Lufta kundër narkotrafikut, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal është detyrim i drejtpërdrejtë i shtetit.
Nuk mund të flitet për standarde europiane pa transparencë mbi rezultatet e luftës kundër grupeve kriminale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse institucionet po godasin vetëm hallkat e vogla apo po arrijnë deri te financuesit, organizatorët, mbrojtësit dhe përfituesit e vërtetë të narkotrafikut.
Zoti Hita, zoti Demo, pyetjet kërkojnë përgjigje troç:
Sa drejtues dhe organizatorë të grupeve të narkotrafikut janë arrestuar?
Sa klane dhe struktura kriminale janë çmontuar?
Kush janë grupet e identifikuara në zonat e kultivimit të Shkodrës, Fierit, Krujës dhe territoreve të tjera?
Sa fidantë, furnizues, financues dhe organizatorë janë hetuar dhe vënë para drejtësisë?
Sa pasuri, prona dhe biznese të lidhura me narkotrafikun janë sekuestruar?
Sa të mitur janë identifikuar si viktima të rekrutimit dhe shfrytëzimit dhe cilët janë personat përgjegjës?
Çfarë rezultatesh konkrete ka hetimi për personat që sigurojnë mbrojtjen dhe vazhdimësinë e këtyre rrjeteve?
Fidanët i numëruat. Dronët i numëruat. Koordinatat dhe orët e fluturimit i numëruat. Sot prisnim rezultatet kundër atyre që financojnë, organizojnë dhe përfitojnë nga ky aktivitet.
Shqipëria ka nevojë për hetime që zbulojnë dhe godasin të gjithë zinxhirin e narkotrafikut, nga fidanti dhe financuesi deri te organizatori dhe përfituesi i fundit.
Suksesi nuk matet me numrin e bimëve të asgjësuara, por me aftësinë e shtetit për të çmontuar strukturat që e bëjnë të mundur këtë biznes kriminal.
Zoti Hita suksesi që pretendoni kërkon emra në dosjet hetimore, përgjegjësi para drejtësisë dhe pasuri kriminale të sekuestruara.
Shqiptarët kërkojnë të dinë kush e organizon dhe kush e mbron Shqipërinë e kanabisit.
Për këtë duhet të jepni llogari! Po llogari se është detyrimi ndaj shqiptarëve në këtë epokë droge që po jeton vendin ynë në këto 4 mandate qeverisje socialiste.
© SYRI.net