
Mbrëmjen e të hënës, është mësuar për vdekjen tragjike të një 34- vjeçari, me profesion elektricist në Shkodër. Ngjarja e rëndë, ka ngjallur edhe reagimin e deputetes së pavarur të Shkodrës, Marjana Koçeku, që ka shkruar në rrjetet e saj sociale:
Përgjatë 10 muejve të fundit kanë humbë jetën në detyrë 10 elektriçistë. Nji elektriçist mesatarisht çdo muej; ndër të cilët dje edhe Angjelin Nika nga Dukagjini. Nji bilanc tragjik për vendin tonë, a thue se elektriçistët i kemi çu në luftë, si ushtarë. Kushtet në të cilat punojnë, dihet tashma, janë të mjerueshme: rrjet i amortizuem, infrastrukturë e degradueme dhe ndërhymje në kushte të pamunduna e tejet të rrezikshme. E kuptoj se përmirësimi i këtyne të fundit s’bahet për nji ditë. Por të paktën, kur shteti nuk siguron kushtet e punës, duhet kriju urgjentisht nji skemë e posaçme kompensimi dhe sigurimi i detyrueshëm për punonjësit e sektorit energjetik, si dhe mbështetje financiare afatgjatë për familjet e viktimave, veçanërisht për fëmijët që mbeten pa prind. Detyra e parë e shtetit sigurisht asht me garantu që punonjësit e energjisë të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi, te familjet e tyne. Por kur nji elektriçist humb jetën në detyrë, shteti ka përgjegjësi me i qëndrue afër familjes së tij, edhe mbas ditëve të zisë, kur asaj i duhet me e përballu realitetin e jetës së përditshme tashma pa njeriun e vet.
Më herët, deputetja Koçeku, pasi kishte mësuar për ngjarjen e rëndë, ka përcjellë edhe ngushëllimet për familjen e të ndjerit që humbi jetën.
Me dhimbje të madhe mora lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tonë, Angjelin Nika. Ngushëllimet ma të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyne që patën fatin me e njoftë. Angjelinin do ta kujtojmë gjithmonë për fisnikërinë, mirësinë njerëzore dhe dashninë që kishte për njerëzit e vendin e vet. U prehtë në paqe! I paharruem kjoftë kujtimi i tij!




