Nesër i jepet lamtumira, ky është elektricisti 34-vjeçar që humbi jetën në Shkodër

Ky është Angjelin Nika, 34-vjeçari që humbi jetën tragjikisht pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, teksa po riparonte një defekt në një shtyllë elektrike në fshatin Bardhaj të Shkodrës.
Familjarët dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit ditën e nesërme, më 11 nëntor.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë mbrëmjes së djeshme, kur 34-vjeçari, me detyrë elektricist i zonës, ishte thirrur nga disa familje për të riparuar një defekt, pasi banesat e tyre kishin mbetur pa energji elektrike.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ai kishte shkuar për të kryer ndërhyrjen jashtë orarit të punës, pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
Pas kontaktit me rrymën elektrike, 34-vjeçari u transportua drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, por mbërriti pa shenja jete.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.




