Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pritet të mbajë një konferencë për media në Pentagon, pas nismës së një kongresmeni republikan për shkarkimin e tij.
Kjo do të jetë konferenca e parë për media e Hegsethit në gjashtë muajt e fundit dhe mbahet në një kohë kur po shtohen kritikat nga të dyja partitë politike për mënyrën se si ai po e menaxhon luftën me Iranin.
Të hënën, kongresmeni republikan Thomas Massie paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve nenet e shkarkimit ndaj Hegsethit. Ai e akuzon sekretarin e Mbrojtjes për shkelje të Kushtetutës, pasi, sipas tij, nuk ka kërkuar miratimin e Kongresit për nisjen e luftës.
Hegseth ka deklaruar se nuk është i shqetësuar nga kjo nismë, ndërsa u ka thënë gazetarëve që të përgatiten me pyetje për konferencën.
Megjithatë, nisma për shkarkimin e tij pritet të mos marrë mbështetjen e nevojshme, pasi republikanët vazhdojnë të kenë shumicën në Kongres deri në janar dhe kontrollojnë votimin për këtë çështje.