
Thomas Tuchel ka shpjeguar arsyet e përjashtimit të Cole Palmer nga lista e kombëtares së Anglisë, duke theksuar se vendimi nuk ka asnjë prapavijë personale. Megjithatë, mesazhi i trajnerit gjerman për yllin e Chelsea është i qartë: fanella e “Tre Luanëve” fitohet përmes paraqitjeve dhe angazhimit gjatë grumbullimeve.
Pavarësisht se Palmer është rikthyer në formë të mirë fizike, pas kontrolleve të kryera nga stafi mjekësor i Anglisë në bashkëpunim me Chelsea, Tuchel ka vendosur t’u besojë lojtarëve që ishin të pranishëm dhe treguan vlerat e tyre në grumbullimin e fundit.
Gjatë drejtimit të trajnerit gjerman, Palmer ka humbur tri grumbullime për shkak të dëmtimeve, ndërsa në dy raste të tjera është larguar nga skuadra.
“Rëndësi kanë lojtarët që janë të pranishëm, që vijnë në grumbullim dhe tregojnë se duan të luajnë për Anglinë. Ne shpërblejmë ata që i shoqërojnë fjalët me vepra”, deklaroi Tuchel.
Tekniku shtoi se futbollistët e grumbulluar së fundmi kanë krijuar një atmosferë dhe grup shumë të mirë, ndaj meritojnë të vazhdojnë të kenë besimin e tij.
“Cole nuk ka asgjë për t’u provuar sa i përket dëshirës për të përfaqësuar vendin. Por konkurrenca është e hapur dhe ai po humbet shumë mundësi për të lënë përshtypje”, përfundoi Tuchel.
