Ruben Saraiva, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, kërkon rishikimin dhe rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lezhës.
Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Apelit, mbrojtja ka kundërshtuar procesin e shkallës së parë, duke pretenduar shkelje procedurale dhe mungesë provash bindëse që e lidhin drejtpërdrejt klientin e saj me ekzekutimin.
Avokati ka theksuar se Saraivës, si shtetas i huaj me gjuhë amtare portugalishten, nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes të përkthyera në një gjuhë që ai kupton.
Sipas mbrojtjes, komunikimi i akuzës dhe procedurat hetimore e gjyqësore janë zhvilluar në anglisht, gjuhë të cilën i pandehuri nuk e zotëronte në nivelin e nevojshëm.
Mbrojtja ka vënë në dyshim edhe identifikimin e autorit, duke pretenduar se dëshmitarët nuk e kanë identifikuar drejtpërdrejt Saraivën dhe se përshkrimi fizik i personit që kreu vrasjen nuk përputhet me atë të klientit të tij.
Po ashtu, ka kundërshtuar administrimin e provës së ADN-së, duke pretenduar se analiza është kryer jashtë kontrollit të mbrojtjes dhe pa një krahasim me kampion të marrë në Shqipëri.
Avokati ka deklaruar gjithashtu se miqësia e Saraivës me Edmond Haxhinë dhe vizitat në banesën e tij nuk mund të shërbejnë si prova për fajësinë. Sipas mbrojtjes, gjykata e shkallës së parë nuk ka dëgjuar as dëshmitaren kryesore të çështjes.
Edhe vetë Saraiva kërkoi që procesi në Apel të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të paanshme. Ai u ankua për mungesën e përkthimit të plotë të akteve dhe për vështirësitë që, sipas tij, kishte hasur gjatë seancave të mëparshme për të kuptuar komunikimin përmes përkthyesit. Për këtë arsye, kërkoi edhe vënien në dispozicion të transkripteve të gjykimit.
Saraiva u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Ardian Nikulajt, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin. Tashmë, Apeli do të shqyrtojë pretendimet e mbrojtjes për rrëzimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Lezhës.














