Gjatë konferencës së përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza, ku u prezantuan rezultatet e arritura gjatë vitit 2026 në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, u vlerësua bashkëpunimi mes dy agjencive ligjzbatuese dhe kontributi i drejtuesve të Policisë italiane.
Në këtë kuadër, Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dorëzuan Letra Mirënjohjeje për Lorenzo Bucossin, Drejtor i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, dhe Gjeneral Brigade Giancarlo Franzese, Komandant i Repartit të III-të të Operacioneve të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza.
Në motivacionin e vlerësimit theksohet kontributi i tyre në bashkëpunimin me strukturat shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kultivimit të bimëve narkotike, në funksion të forcimit të sigurisë publike në të dy vendet.
Policia e Shtetit e cilëson këtë vlerësim si dëshmi të partneritetit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit shumëvjeçar me Guardia di Finanza, të konkretizuar përmes operacioneve të përbashkëta.
Gjatë fjalës së tij, Skënder Hita garantoi qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, do të vijojë angazhimin maksimal për të goditur kriminalitetin dhe veçanërisht krimin e organizuar.










Komente
Komento