Gjykata e Posaçme ka rrëzuar një pjesë të kërkesave të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në procesin gjyqësor për koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale. Mes kërkesave të rrëzuara janë edhe ato për pushimin e çështjes dhe shpalljen e akteve të pavlefshme e të papërdorshme.
Pas seancës, Beqaj bëri të ditur se ai dhe avokatët e tij kishin paraqitur gjithsej 22 kërkesa, për të cilat gjykata kishte ndarë vendimmarrjen në tri kategori: një pjesë nuk do të shqyrtohej në këtë fazë, një pjesë do të trajtohej gjatë gjykimit në themel, ndërsa kërkesat e grupit të tretë u rrëzuan.
Ish-ministri kritikoi mënyrën se si gjykata trajtoi pretendimet e tij për shkelje procedurale nga ana e prokurorisë, duke thënë se, megjithëse janë konstatuar mangësi në procedurë, ato nuk janë shoqëruar me pasoja për organin e akuzës.
“Nga 22 kërkesat që ne kishim paraqitur, unë dhe avokatët e mi, gjykata e ndau vendimmarrjen e saj në tri grupe. Për një pjesë tha që nuk më takon mua të shprehem në këtë moment, për një pjesë tha që i përkasin gjykimit të themelit, ndërsa një pjesë të tretë e rrëzoi”, deklaroi Beqaj.
Ai u ndal te pretendimet për rifillimin e procesit pas një vendimi pushimi, marrjen në pyetje në kohë dhe administrimin e provave të paraqitura nga mbrojtja.
“Praktikisht procedura penale ka shumë detyrime për prokurorët, por ka harruar me ose pa dashje të shprehet për pasojat nëse prokurorët nuk e zbatojnë. Në këto kushte gjykata konstaton, po, nuk e ka zbatuar procedurën penale për rifillimin e procesit kur ka pasur një vendim pushimi, nuk e ka zbatuar për t’u marrë në pyetje në kohë, nuk e ka zbatuar për të marrë provat tona, por thotë meqenëse nuk ka pasojë për mosveprimin e tyre, do të vazhdojmë këtu, ndërkohë që të drejtat procedurale të çdokujt që është i akuzuar ngelin jetim”, u shpreh ish-ministri.
Për kërkesat e tjera, Gjykata e Posaçme pritet të shprehet në vijim. Seanca e radhës është caktuar më 2 dhjetor, në orën 10:00.
Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Ndërkohë, tetë të pandehurit e tjerë në këtë çështje, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, janë gjykuar në një proces më vete me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Gjykata u ka rrëzuar Rjepajt dhe Rrapajt akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
