
Dhjetë vite pas nisjes së reformës në drejtësi, Shqipëria vijon të përballet me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për sistemin gjyqësor. Nga 20 gjykata që funksionojnë në vend, vetëm 5 kanë godina të ndërtuara posaçërisht për këtë qëllim, ndërsa pjesa tjetër zhvillon aktivitetin në ambiente të përshtatura. Shifrat u prezantuan nga kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, ku kërkoi më shumë fonde për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave të gjykatave.
“Që nga viti 2017 nuk kemi një godinë që të ketë përfunduar, e destinuar si gjykatë. Në 10 vite reformë në drejtësi, ne nuk kemi një godinë që në momentin e parë të jetë dedikuar për gjykatë”, deklaroi Rusi. Sipas tij, një prej pengesave kryesore është mungesa e trojeve. KLGJ u ka kërkuar bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës të vënë në dispozicion hapësira për ndërtimin e godinave të reja, por pa marrë përgjigje pozitive. Përjashtim bën Berati, ku këshilli bashkiak ka miratuar kalimin e një trualli në pronësi të KLGJ-së. Për hartimin e projektit janë parashikuar 9 milionë lekë.
Problematike mbetet edhe situata në kryeqytet, ku për zgjerimin dhe rikonstruksionin e godinës aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkohen 200 milionë lekë, ndërsa procesi pengohet nga procedurat e shpronësimit. Gjatë raportimit, Rusi kërkoi gjithashtu 215 milionë lekë për pajisje zyrash dhe sigurinë në gjykata, si dhe 110 milionë lekë shtesë për mallra dhe shërbime, duke argumentuar se janë rritur kostot e postës, sigurisë dhe marrjes me qira të ambienteve.
Një tjetër kërkesë e KLGJ-së është shtimi i 199 punonjësve gjatë vitit 2027, për të plotësuar vendet vakante me sekretarë gjyqësorë, ndihmës ligjorë dhe punonjës sigurie. Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësimin se mungesa e ambienteve fizike po pengon edhe shtimin e personelit. “Problemi është se sot nuk kanë ku ulen ata dhe t’i çosh”, u shpreh Xhafaj, duke kërkuar që problematika infrastrukturore të përcillet edhe pranë qeverisë. Për vitin 2027, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor janë parashikuar 6.67 miliardë lekë, rreth 74.22 milionë lekë më pak krahasuar me buxhetin e vitit 2026.
