Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, në kuadër të dosjes së Erion Veliajt.
Bushka akuzohet për veprën penale të pengimit të drejtësisë. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka ndërhyrë për të prishur dhe ndryshuar telefonat e personave që ishin nën hetim nga SPAK, me qëllim pengimin e sigurimit të provave.
Fillimisht, SPAK kishte kërkuar 600 mijë lekë gjobë, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e kërkuar është reduktuar në 400 mijë lekë.
Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme janë përmbyllur kundërshtimet e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre në procesin e ndarë të dosjes “Veliaj”.
GJKKO ka caktuar datën 25 nëntor, ora 15:30, për shpalljen e vendimit përfundimtar për Bushkën dhe të pandehurit e tjerë.
Në këtë proces, SPAK ka kërkuar gjithashtu 7 vite burg për biznesmenin Elman Abule, dënim që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj burg. Për të pandehurit e tjerë janë kërkuar masa të ndryshme, përfshirë shërbimin e provës dhe gjobat.
LEXO EDHE:
Dosja “Veliaj”, caktohet data e vendimit për ish-deputeten Klotilda Bushka dhe të pandehurit e tjerë













