Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të aksidenteve të rënda rrugore të ndodhura në Bullgari.
Përmes një reagimi, Hoxha u shpreh i pikëlluar për humbjen e jetëve njerëzore dhe personat e plagosur, duke përcjellë mesazhin e ngushëllimit për familjarët e viktimave, si dhe për popullin dhe qeverinë bullgare.
Ai gjithashtu uroi shërim të shpejtë dhe të plotë për të gjithë të lënduarit, ndërsa shprehu mbështetjen për të gjithë personat e prekur nga kjo tragjedi.
Ndërkohë, 12 persona kanë humbur jetën nga dy aksidente masive të regjistruara në autostradën “Trakia” në Bullgari, të cilat shkaktuan bllokimin e qarkullimit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidenteve ka qenë mjegulla e dendur, e cila ka kufizuar ndjeshëm dukshmërinë në rrugë.


