Bota

BE-ja akordon 50 milionë euro për sigurinë në Detin e Zi, Ursula von der Leyen: Duhet të përshpejtojmë ngritjen e qendrës së përbashkët

Bashkimi Europian do të akordojë 50 milionë euro për përshpejtimin e krijimit të një qendre të përbashkët të sigurisë detare në Detin e Zi, e cila do të koordinohet nga Rumania dhe Bullgaria.

Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në qytetin portual të Varnës në Bullgari. Ajo theksoi se projekti duhet të vihet sa më shpejt në funksion, duke përcaktuar afate të qarta për përfundimin e tij.

Nisma vjen pas një serie sulmesh me dronë detarë ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, pranë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë. Sipas Reuters, të paktën nëntë anije janë goditur gjatë muajit të kaluar, ndërsa disa detarë kanë humbur jetën dhe të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Qendra e re synon të përmirësojë shkëmbimin e informacionit, monitorimin detar dhe sigurinë e lundrimit në një korridor të rëndësishëm për tregtinë ndërkombëtare, furnizimin me energji dhe eksportet ushqimore të Ukrainës.

Ndërkohë, NATO ka paralajmëruar gjithashtu forcimin e pranisë në krahun lindor të saj në Detin e Zi, përmes avionëve patrullues, radarëve dhe dronëve.

Von der Leyen ka theksuar se liria e lundrimit në Detin e Zi duhet të rikthehet dhe të garantohet, ndërsa BE-ja synon një reagim të koordinuar përballë kërcënimeve në rajon.