Merz vendos kusht për buxhetin e BE-së: Të gjitha shtetet të kontribuojnë për financimin e Ukrainës

Gjermania do të mbështesë buxhetin e ri të BE-së për vitet 2028–2034 vetëm nëse të gjitha shtetet anëtare bien dakord për financimin e Ukrainës.
Kjo është bërë e ditur nga kancelari gjerman Friedrich Merz, me një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, shkruan gazeta prestigjioze Financial Times.
Në letër, Merz thekson se të gjitha vendet anëtare, pa përjashtim, duhet të kontribuojnë në mënyrë të drejtë për të mbuluar nevojat financiare të Kievit.
Ukraina përballet me një mungesë financimi që parashikohet të arrijë në rreth 70 miliardë euro.
Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e mbulimit të një pjese të konsiderueshme të kësaj shume, rreth 45 miliardë euro, me synimin për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit.
Por përpjekjet për një qëndrim të përbashkët evropian përballen me kundërshtime.
Hungaria, Sllovakia, Bullgaria dhe Republika Çeke kanë sinjalizuar se nuk janë të gatshme të japin fonde shtesë për Ukrainën.




