Është shtyrë për më 24 nëntor 2026 seanca gjyqësore në Apelin e GJKKO-së për Ruben Saraivën, të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Në seancën e sotme, Saraiva ka kërkuar prishjen e vendimit të dënimit dhe rigjykimin e çështjes, duke pretenduar se gjatë procesit gjyqësor i është mohuar e drejta për t'u informuar dhe për t'u mbrojtur në mënyrë të plotë.
Në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm vetë Saraiva dhe familjarë të viktimës, ndërsa për shkak të pranisë së tyre janë angazhuar edhe katër punonjës të Policisë së Burgjeve.
Avokati i Saraivës ka kërkuar që vendimi i dhënë ndaj klientit të tij të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Lezhës, por me një trupë tjetër gjykuese. Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu rimarrjen e disa provave që i konsideron vendimtare, përfshirë dëshminë e Valbona Dedës, si dhe caktimin e një përkthyesi.
Sipas avokatit, dëshmia e Valbona Dedës është marrë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe për këtë arsye kërkohet që ajo të konsiderohet e papërdorshme.
Pas avokatit ka marrë fjalën edhe vetë Ruben Saraiva, i cili ka pretenduar se, për shkak se është shtetas i huaj dhe nuk njeh gjuhën shqipe, nuk ka pasur mundësi të kuptojë plotësisht hetimet dhe procesin gjyqësor që çoi në dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
“Jam dënuar me burgim të përjetshëm. Mendoja se do të merrja të gjitha aktet e përkthyera dhe jo vetëm vendimin. Jam para jush totalisht i papërgatitur dhe i verbër për atë që ka ndodhur gjatë hetimit dhe gjykimit”, deklaroi ai.
Saraiva tha se kishte kërkuar informacion edhe nga ambasada dhe një avokat për të kuptuar se kujt i takonte përgjegjësia për vënien në dispozicion të akteve të përkthyera. Sipas tij, përgjegjësia për këtë i takonte prokurorisë dhe gjykatës, si në Shkallën e Parë, ashtu edhe në Apel.
Ai kërkoi gjithashtu transkriptet e seancave të mëparshme, duke ngritur pretendime për mënyrën se si ishte realizuar përkthimi gjatë procesit.
“Kur prokurorja bënte pyetje, unë kërkoja që të flitej më ngadalë, sepse dua të di se çfarë ka mbetur pa u përkthyer. Asnjë nga këto nuk mund të konsiderohet transparencë”, u shpreh Saraiva.
Më tej, ai pretendoi se gjatë procesit të mëparshëm kërkesat e mbrojtjes ishin refuzuar, ndërsa ato të prokurorisë ishin pranuar, duke kërkuar nga trupi gjykues në Apel të jetë neutral dhe të vlerësojë çështjen mbi bazën e provave.
Gjatë deklaratës së tij, Saraiva foli edhe për marrëdhënien me Edmond Haxhinë, të cilin e cilësoi mik të tij, duke pranuar se kishte qëndruar në pronën e tij, kishte udhëtuar me të dhe me të fejuarën e tij, Valbona Dedën.
Ai kundërshtoi që këto njohje dhe udhëtime të përdoren si argument për fajësinë e tij, duke pretenduar se nuk janë prova që dëshmojnë përfshirjen në krim.
“Një gjykatë e ligjshme nuk mund të vendosë çfarë mendon apo çfarë thotë media, por vendos mbi fakte, nëse dikush e ka kryer apo jo një krim. Më lini të mbroj veten time”, deklaroi Ruben Saraiva në sallën e gjyqit.
Seanca e radhës është caktuar më 24 nëntor, kur pritet të vijojë shqyrtimi i kërkesave të mbrojtjes në procesin e apelit për një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të regjistruara në Shëngjin.