E martë, 10 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Hita “u tërheq veshin” drejtorëve të Policisë: Nuk jam i kënaqur me rezultatet
Lajme

Hita “u tërheq veshin” drejtorëve të Policisë: Nuk jam i kënaqur me rezultatet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbledhur drejtuesit e drejtorive vendore për të diskutuar situatën e rendit dhe sigurisë publike, duke u kërkuar më shumë angazhim dhe rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë takimit, Hita ka vlerësuar punën e strukturave policore, por ka bërë të qartë se rezultatet e deritanishme nuk janë në nivelin e pritshëm dhe se drejtuesit duhet të marrin më shumë përgjegjësi për përmbushjen e objektivave.

Mbledhja vjen pas konferencës së përbashkët mes Policisë së Shtetit, Guardia di Finanza-s italiane dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo.

Në qendër të diskutimeve kanë qenë kapja e personave në kërkim, veçanërisht e atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe intensifikimi i hetimeve proaktive.

Hita ka kërkuar gjithashtu përmirësimin e informacionit policor dhe forcimin e bashkëpunimit mes drejtorive vendore, strukturave kufitare dhe njësive të tjera, me qëllim identifikimin dhe goditjen në kohë të veprimtarive kriminale.

Narkotikët, trafiqet dhe krimi ekonomik në fokus

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar luftës kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe krimit ekonomik. Drejtuesve vendorë u është kërkuar të rrisin efektivitetin e operacioneve dhe të mbështesin veprimet policore në informacione të sakta dhe hetime cilësore.

Një tjetër objektiv mbetet parandalimi dhe goditja e armëmbajtjes pa leje, përmes shtimit të kontrolleve dhe operacioneve të orientuara nga informacionet në terren.

Sa i përket sigurisë në shkolla, kreu i Policisë ka kërkuar rritjen e pranisë së efektivëve dhe bashkëpunimin me drejtuesit e institucioneve arsimore, oficerët e sigurisë dhe prindërit, për të parandaluar konfliktet dhe dhunën mes nxënësve.

Në fokus kanë qenë edhe rastet e dhunës në familje, për të cilat është kërkuar ndërhyrje me përparësi dhe monitorim i konflikteve që mund të përshkallëzohen në ngjarje të rënda.

Hita: Besimi i qytetarëve fitohet me rezultate

Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se puna e Policisë nuk duhet të matet vetëm me operacionet e kryera, por edhe me cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe rezultatet në përmirësimin e sigurisë.

“Rezultatet konkrete në përmirësimin e parametrave të sigurisë, si dhe shërbimi me etikë, humanizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve, janë çelësi i suksesit të Policisë dhe i fitimit të besimit të qytetarëve”, ishte mesazhi i tij.

Në përfundim, Hita ka paralajmëruar se performanca e drejtuesve vendorë do të vlerësohet në bazë të rezultateve konkrete që do të arrijnë në zonat ku ushtrojnë detyrën.

Pra, përgjegjësia për përmirësimin e treguesve të sigurisë dhe përmbushjen e objektivave do të jetë drejtpërdrejt edhe mbi drejtuesit e policive vendore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.