Shtetet e Bashkuara kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për NATO-n, si dhe angazhimin për krijimin e garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën në periudhën pas përfundimit të luftës me Rusinë.
Në një deklaratë të publikuar në Abu Dhabi, pak para nisjes së negociatave mes Kievit dhe Moskës, i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian theksuan rëndësinë e ndërtimit të një arkitekture të qëndrueshme të sigurisë europiane.
Në deklaratë nënvizohet se NATO do të vijojë të ketë një rol kyç në mbrojtjen kolektive euroatlantike, ndërsa çdo marrëveshje e ardhshme duhet të garantojë sigurinë e Ukrainës dhe të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtën e saj për të përcaktuar vetë orientimin politik.
Palët shprehën gjithashtu angazhimin për të avancuar drejt negociatave më të gjera shumëpalëshe, me pjesëmarrjen e partnerëve europianë, me synimin për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.
Deklarata pasoi një takim mes ekipit negociator amerikan dhe përfaqësuesve të Ukrainës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Takimi u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas deklaratës, diskutimet u përqendruan te mekanizmat për menaxhimin e rreziqeve të sigurisë, parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe forcimin e bashkëpunimit mbi bazën e institucioneve dhe marrëveshjeve ekzistuese europiane të sigurisë.
Palët vlerësuan gjithashtu rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe të një qasjeje të përbashkët për garantimin e stabilitetit dhe sigurisë euroatlantike në periudhën pas luftës.


