Gjashtë muaj pas aksidentit tragjik në ish-Kënetë të Durrësit, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, ka nisur procesi gjyqësor ndaj Nikoll Radaçit, 57-vjeçarit që drejtonte automjetin në momentin e ngjarjes.
Seanca e parë u zhvillua në Gjykatën e Durrësit me dyer të mbyllura dhe zgjati vetëm pak minuta, pasi mbrojtja kërkoi gjykim të shkurtuar. Vendimi pritet të jepet në seancën e ardhshme.
Ajo që ka shkaktuar reagime është fakti se Radaçi nuk do të gjykohet për të gjitha akuzat që rëndonin ndaj tij gjatë hetimeve. Si pasojë e përfitimit nga amnistia penale, janë shuar akuzat për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe largimin nga vendi i aksidentit. Kështu, ai është dërguar për gjykim vetëm për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Avokati i tij, Aleksandër Ndrejaj, deklaroi se nga testi i kryer pas aksidentit kishte rezultuar një sasi e pakët alkooli në organizmin e klientit të tij.
Ndërkohë, babai i fëmijës që mbeti i plagosur ka reaguar ashpër ndaj lehtësimit të pozitës penale të shoferit, duke e cilësuar këtë një padrejtësi.
Aksidenti ndodhi më 3 maj, kur automjeti Mercedes-Benz që drejtohej nga 57-vjeçari doli nga rruga dhe përplasi në trotuar tre fëmijët. Për pasojë, humbën jetën 12-vjeçari Enea Muçaj dhe 9-vjeçari Klesi Nikolli, ndërsa shoku i tyre mbeti i plagosur.
Për akuzën që ka mbetur, Radaçi rrezikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg.