I ftuar në një lidhje Skype në edicionin e pasdites në SYRI TV, deputeti Ivi Kaso u shpreh se dorëheqja e qeverisë Rama është kërkesa kryesore e opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Kaso deklaroi se zgjidhja përfundimtare duhet të vijë përmes zgjedhjeve të reja, të garantuara nga një qeveri kujdestare.
Duke iu referuar raporteve të ODIHR-it, ai theksoi përkeqësimin e standardeve zgjedhore dhe akuzoi qeverinë se përdor kapacitetet e shtetit në funksion të garës politike.
Kaso bëri të ditur gjithashtu se opozita do të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me synimin për të adresuar problematikat që cenojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Pjesë nga intervista:
Sigurisht, është koha gjithmonë për reformën zgjedhore. Është koha gjithmonë për t’u marrë me zgjedhjet, sepse, pavarësisht se vendi po kalon një krizë të thellë institucionale dhe një krizë të thellë qeverisëse, e cila nënvizohet nga protestat e vazhdueshme që vazhdojnë në vend prej muajsh tashmë, sigurisht që edhe kulmimi i kërkesave të protestës dhe i vullnetit të qytetarëve, që tashmë është në unison, është që, prej kohësh, opozita kërkon dorëheqjen e kësaj qeverie dhe zgjidhja politike e krizës do të vijë nëpërmjet një procesi zgjedhor.
Pra, kusht për zgjidhjen e krizës, ne e kemi thënë dhe mbetet kërkesa numër 1 e protestës: dorëheqja e qeverisë Rama. Por zgjidhja përfundimtare do të vijë nëpërmjet një procesi zgjedhor, të cilin do ta garantojë një qeveri kujdestare, sepse tre raportet e fundit të ODIHR-it, por në përgjithësi klima e zgjedhjeve në Shqipëri, ka ardhur duke u përkeqësuar.
Tre raportet e fundit të ODIHR-it e kanë theksuar me forcë këtë, duke thënë që kemi një shmangie, për fat të keq, shumë të madhe nga kriteret e Kopenhagës, të cilat përcaktojnë kushtet minimale për zgjedhjet në një vend demokratik, që ato të mund të certifikohen si zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Dhe tashmë kemi arritur në një problematikë të madhe, të cilën shteti është shkrirë dhe është bërë njësh me partinë në pushtet, e cila, veçanërisht në procesin zgjedhor, përdor të gjitha kapacitetet e shtetit në garë me kundërshtarët e vet politikë.
Të gjithë e dimë që kundër shtetit nuk ka garë. Sigurisht, në një vend demokratik duhet që alternativat politike të jenë midis dy ofertave, dy ose më shumë, por të paktën dy ofertave politike. Por, në një garë të pabarabartë, disa subjekte politike janë kundër shtetit nga ana tjetër.
Dhe pikërisht ky ishte qëllimi dhe qasja e opozitës në adresimin e këtyre problematikave të thella nëpërmjet një reforme të thellë zgjedhore.
Pra, që kur është ngritur Komisioni i Posaçëm, ne si opozitë kemi thënë që do të marrim pjesë në këtë pa asnjë paragjykim, por me qëllimin e vetëm që reforma të gjejë zgjidhje për ato që janë problemet më të mëdha të zgjedhjeve.
© SYRI.net