
Bonusi i bebes parashikohet të kthehet në një pagesë mujore për pesë vitet e para të jetës së fëmijës, duke nisur nga 1 korriku 2027. Zv.kryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur se mbështetja do të jetë 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin.
Koçiu shpjegon se skema e re synon ta shndërrojë bonusin aktual, që jepet vetëm një herë në momentin e lindjes, në një mbështetje të vazhdueshme për familjet gjatë pesë viteve të para të rritjes së fëmijës. “Pra, nga një pagesë e vetme në lindje, në një mbështetje që vazhdon muaj pas muaji gjatë pesë viteve të para të jetës”, u shpreh Koçiu. Ajo bëri të ditur se janë parashikuar 4 mijë kredi të lehtësuara për çiftet e reja që synojnë të blejnë banesën e tyre të parë.
Sipas saj, 2 mijë kredi do të ofrohen me interes 0% për banesa deri në 61 mijë euro, ndërsa 2 mijë të tjera me interes 3% për banesa me vlerë deri në 200 mijë euro. Koçiu theksoi se mbështetja për familjet duhet të shtrihet nga lindja dhe rritja e fëmijëve deri te mundësitë për krijimin e një familjeje dhe sigurimin e banesës së parë.
