Qendra e Down Syndrome Kosova në Ferizaj vërshohet nga kanalizimi, i shkruan kryetarit Aliu

Drejtoresha ekzekutive e organizatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, që t’u sigurojë një hapësirë të përshtatshme për vazhdimin e punës së qendrës në këtë qytet.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka paralajmëruar se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, organizata mund të detyrohet t’i ndërpresë shërbimet për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit me sindromën Down në Ferizaj.
Hajdini Beqiri ka treguar se organizata e ka hapur zyrën në Ferizaj në vitin 2010, fillimisht si zyrë informuese, ndërsa në korrik të vitit 2018 është zhvendosur në një hapësirë të re me qira, për shkak të rritjes së numrit të anëtarëve dhe kërkesave për shërbime terapeutike e sociale.
Megjithatë, sipas saj, gjatë tri viteve të fundit kushtet në lagjen ku ndodhet qendra, në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani”, janë bërë gjithnjë e më shqetësuese.
Ajo ka përmendur hapjen e lokaleve që, sipas saj, ushtrojnë veprimtari të paligjshme, praninë e përdoruesve të substancave narkotike dhe afërsinë me një dyqan të armëve, municionit dhe pajisjeve taktike, i cili ka edhe poligon të brendshëm të shenjëtarisë dhe qendër trajnimi.
“ Këto ditë, në këtë dyqan ndodhi edhe një shpërthim, i cili shkaktoi shqetësim të madh te anëtarët dhe stafi ynë”, ka shkruar ajo.
Drejtoresha ekzekutive ka bërë të ditur se organizata i është drejtuar vazhdimisht Komunës së Ferizajt për sigurimin e një hapësire tjetër, por deri më tani, sipas saj, nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ajo ka theksuar se shërbimet terapeutike dhe sociale në këtë qendër financohen nga vetë Down Syndrome Kosova, përmes zyrës qendrore, ndërsa mbështetja e Komunës ka qenë e kufizuar.
“Mbështetja e Komunës ka qenë shumë e kufizuar, me ndonjë projekt që nuk e ka kaluar vlerën prej 3,000 euro në vit”, ka deklaruar Hajdini Beqiri.
Ajo ka sqaruar se kërkesa e organizatës nuk është që Komuna t’i mbulojë shpenzimet për shërbimet, por vetëm t’u sigurojë një objekt të përshtatshëm për vazhdimin e punës.
Një tjetër problem, sipas saj, është paraqitur më 9 nëntor, kur qendra është vërshuar nga ujërat e kanalizimit si pasojë e një defekti në rrjet. Për këtë arsye, organizata është detyruar t'i ndërpresë shërbimet dhe aktivitetet në atë hapësirë.
“Si shoqatë, nuk kemi më kapacitet të përballojmë edhe këtë situatë dhe të vazhdojmë të punojmë në një ambient të tillë”, ka shkruar ajo.
Në fund, Hajdini Beqiri i është drejtuar drejtpërdrejt kryetarit të Ferizajt, duke i kërkuar që të gjejë një zgjidhje për këtë problem.
“Përndryshe, i nderuari Kryetar, ashtu siç ju kemi ftuar më 3 korrik të vitit 2018 për ta hapur këtë qendër, do t'ju ftojmë të vini për t'ia vendosur drynin. Nëse nuk gjendet një zgjidhje, rrezikojmë të ndërpresim shërbimet për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit me sindromën Down në Ferizaj”, ka paralajmëruar ajo.
Ajo ka theksuar se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me sigurimin e një hapësire, por me vazhdimësinë e shërbimeve terapeutike dhe sociale për personat me sindromën Down në këtë komunë. /Telegrafi/





































