VIDEO/ Blushi: S’mund të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër, objektivi largimi i tij para zgjedhjeve lokale

17:43, 10/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV, me moderator Edvin Parruca, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se kontrollon të gjitha institucionet shtetërore dhe se ka diktuar edhe datën e zgjedhjeve.

Blushi deklaroi se, pavarësisht se data e zgjedhjeve u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ajo ishte bërë publike paraprakisht nga Taulant Balla dhe Blendi Klosi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë theksoi se opozita duhet të ketë si objektiv largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore, duke argumentuar se në kushtet aktuale nuk mund të garantohet një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm.

‘Për t’ju korrigjuar, datën e caktoi Edi Rama dhe Taulant Balla, ndërsa atë e dekretoi Presidenti i Republikës, zoti Bajram Begaj. Dhe këtë të vërtetë duhet t’ua themi shqiptarëve, sepse ishte Taulant Balla dhe, në mos gaboj, Blendi Klosi, ata që e bënë publike datën përpara se Presidenti ta njoftonte zyrtarisht.

Pra, imagjinoni se në çfarë klime zgjedhore po hyn vendi, kur Edi Rama cakton edhe datën e zgjedhjeve dhe kontrollon të gjithë shtetin, përfshirë KQZ-në, SPAK-un dhe çdo institucion tjetër që duhet të garantonte një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Ne e kemi theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Do të bëjmë gjithçka, dhe duhet bërë gjithçka, që në zgjedhjet e ardhshme lokale vendi të hyjë pa Edi Ramën kryeministër. Ky duhet të jetë objektivi, dhe për këtë duhet të punojë çdo ditë edhe opozita shqiptare.

Kjo, në kushtet kur, po e theksoj, të gjitha institucionet kanë rënë dhe, për fat të keq, nuk kemi më një sistem drejtësie, pasi SPAK-u funksionon si patericë dhe si kamxhik në duart e Edi Ramës për të goditur kundërshtarët e tij politikë.

Në fakt, po dëgjoja pak minuta më parë edhe kolegun Kaso, i cili u ndal te ajo që quhet task-forca për zgjedhjet. I vetmi rezultat që pati ajo task-forcë, dua t’jua rikujtoj, ishte rrëmbimi kriminal i Presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta, më 21 tetor 2024, pra pak muaj përpara zgjedhjeve të 11 majit. Ky është i vetmi produkt që mbaj mend dhe që shqiptarët do të mbajnë mend për një kohë të gjatë.

Pra, ishte thjesht dhe vetëm një strukturë që funksiononte si polici e Edi Ramës. Dhe këtu i referohem SPAK-ut të partisë, që funksionon me regji politike nga mëngjesi deri në darkë.’, u shpreh Tedi Blushi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco