Prezantuesja televizive Rabia Ahsan, 41 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda banesës së saj në Rawalpindi, të dielën. Ngjarja ndodhi disa orë pasi ajo kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube, ku diskutonte për zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara. Sipas raportimeve të mediave lokale, të përcjella nga “Daily Mail”, dyshohet se autor i vrasjes është bashkëshorti i saj, Ahsan Tahir.
Në momentin e ngjarjes, nëna dhe motra e Rabia Ahsan ndodheshin jashtë banesës. Pas të shtënave, motra hyri në dhomën e gjumit dhe e gjeti të shtrirë në një pellg gjaku; policia thotë se bashkëshorti dyshohet se mbante armën në dorë. Autoritetet raportuan se viktima kishte marrë një plagë poshtë qafës dhe një tjetër në anën e djathtë të shpinës dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.
Policia sekuestroi një pistoletë në vendin e krimit dhe arrestoi Ahsan Tahir. Mediat pakistaneze bëjnë me dije se ai nuk dispononte leje të vlefshme për mbajtjen e armës. Gjatë marrjes në pyetje, Tahir dyshohet se pranoi se kishte qëlluar me armë, por pretendoi se nuk e dinte që arma ishte e mbushur dhe se shkrepja ishte aksidentale, sipas raportimit të gazetës pakistaneze “Samaa”.
Raportimet shtojnë se çifti jetonte së bashku dhe kishte dy fëmijë, dhe deri më tani nuk ishte bërë e ditur ndonjë histori e mëparshme konflikti apo dhune në marrëdhënien e tyre. Zyrtari i policisë së Rawalpindit, Hassan Mushtaq Sukherea, deklaroi se autoritetet do të garantojnë një hetim të paanshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.
Vdekja e prezantueses shkaktoi reagime edhe në nivelet më të larta të politikës pakistaneze. Zonja e Parë e Pakistanit, Aseefa Bhutto-Zardari, përmes një deklarate theksoi nevojën për përgjegjësi dhe mbrojtjen e grave, duke thënë: “Incidente të tilla kërkojnë vëmendje serioze dhe llogaridhënie. Gratë duhet të jenë në gjendje të jetojnë dhe të punojnë pa frikën se mund të humbasin jetën”. Hetimet vazhdojnë.
