Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës dhe bashkëpunimin me partitë e reja politike, duke propozuar që forcat opozitare të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të dalin me kandidatë të përbashkët.

Në një intervistë për “News24”, Bozdo komentoi reformën zgjedhore, protestën dhe situatën në PD, duke u ndalur edhe te qëndrimi i partive të reja opozitare.

Ai theksoi se PD kërkon rikthimin e koalicioneve dhe adresimin e problematikave që, sipas tij, ndikojnë në deformimin e rezultatit zgjedhor, si përdorimi i bandave, presioni ndaj komisionerëve dhe votuesve, blerja e votës dhe ndërthurja e shtetit me partinë në pushtet.

Bozdo akuzoi mazhorancën se nuk ka vullnet për të ndryshuar këto problematika, ndërsa u shpreh se PD është e gatshme të diskutojë edhe propozimet e partive më të vogla dhe të reja për sistemin zgjedhor.

Duke folur për bashkëpunimin opozitar, deputeti demokrat nënvizoi se është momenti që forcat politike të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkojnë energjitë për përballjen e ardhshme politike.

“Ka çështje të mëdha që prekin drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve dhe asnjë palë nuk mund të hyjë në një betejë të barabartë kur këto nuk adresohen. PD ka kërkuar kthimin e koalicioneve. Nëse do të vazhdojë përdorimi i bandave, trysnia ndaj komisionerëve dhe votuesve, paratë për blerjen e votës, si dhe zhdukja e kufirit midis shtetit dhe partisë, sigurisht që rezultatet dalin të deformuara. Deri tani, PS nuk do që t’u hyjë këtyre çështjeve dhe është qartësisht për të mos ndryshuar asgjë. PS i ka ato mandate me krim, me korrupsion. PD u qëndron këtyre dy grupeve të propozimeve që do të artikulohen.

PD është e votuar për të qenë në Parlament dhe për të ngritur zërin e qytetarëve. Nëse ka vullnet, ne shkojmë menjëherë, brenda 24 orëve, për t’u dhënë drejtim këtyre shqetësimeve. PD përfaqëson elektoratin e saj dhe një pjesë shumë të madhe të shoqërisë shqiptare. E keqja që kemi përballë është shumë e madhe, është futur në sistem. Dhe për ta çrrënjosur, ne duhet të bëjmë hapa mbrapa, që të bashkojmë të gjithë frontin opozitar. Partive opozitare më të vogla u kemi thënë: propozoni çfarëdolloj sistemi dhe ne do t’ju mbështesim.

Ne duhet të ulemi, të flasim dhe të dalim me kandidatë të përbashkët. Shanset janë shumë të mëdha nëse ne bashkëpunojmë. Kur vjen puna te përballja, është çasti të bashkojmë forcat.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: