Rama: Shqiptarët janë fanatikë të BE-së, nuk e shohim si bankomat

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në “Forumin e Paqes” në Paris, ka folur mbi të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama theksoi se Shqipëria dhe shqiptarët janë ndër më optimistët për të ardhmen në BE. Ai tha se Shqipëria nuk e sheh BE-në si bankomat, por ashtu siç e shihnin etërit themelues.
Pjesë nga diskutimi:
Pyetje: A janë të rinjtë skeptikë apo optimistë për të ardhmen e Shqipërisë në BE?
Rama: Shqiptarët janë shumë të veçantë lidhur me këtë gjë. Në Ballkanin Perëndimor kemi një histori ndryshe, ne nuk kemi qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne u ndamë me bllokun lindor që në vitet ’60, pastaj u hodhëm në një marrëdhënie të veçantë me Kinën e Maos. Kemi qenë gjatë gjithë kohës Koreja e Veriut e Evropës.
Kur dolëm nga ky ferr, dolëm të transformuar, dolëm fanatikë të perëndimizmit, për arsye të mira. Ne kemi normën më të lartë të optimizmit në Evropë.
Për shqiptarët dhe ne në Shqipëri, BE-ja është për ne siç ishte për etërit themelues, jo një bankomat. Nuk ka aspak dyshim që, pavarësisht konflikteve të brendshme apo polarizimit, Evropa është objektivi ynë. Ne nuk ndikohemi nga të tjerët, përveçse nga projekti evropian. Jemi mirëfilli evropianët më të mirë që mund të gjeni sot.
Pyetje: Kjo është një ambicie mjaft e bukur.
Rama: Nuk është ambicie, është fakt.




