Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka shpjeguar qëndrimin e opozitës për pjesëmarrjen në komisionet e reformës territoriale dhe asaj zgjedhore, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e propozimeve është 30 nëntori.
Në një deklaratë, Bozdo tha se PD nuk pret që pjesëmarrja në këto komisione të sjellë domosdoshmërisht ndryshime, por sipas tij, mungesa e opozitës do t’i jepte më shumë hapësirë mazhorancës për të imponuar versionin e saj.
Duke iu referuar reformës territoriale, deputeti kujtoi përvojën e mëparshme të PD-së, duke pretenduar se procesi përfundoi me një hartë të diktuar nga interesat e Partisë Socialiste dhe jo nga nevojat e qytetarëve.
Sa i përket reformës zgjedhore, Bozdo tha se PD është e hapur për sistemin proporcional rajonal dhe rikthimin e koalicioneve, ndërsa kërkon edhe hapjen e listave. Megjithatë, ai theksoi se ndryshimi i sistemit nuk do të mjaftojë nëse nuk adresohen problemet që, sipas opozitës, deformojnë procesin zgjedhor.
Deputeti përmendi përdorimin e administratës shtetërore në fushatë, presionin ndaj votuesve, ndërhyrjen e grupeve kriminale dhe blerjen e votës, duke pretenduar se këto problematika janë evidentuar edhe në raportet e OSBE/ODIHR.
“Çfarëdo gjëje që biem dakord, nëse rregullat e lojës janë këto që janë, kuptohet se cili do të jetë rezultati. Nëse vazhdon përdorimi i bandave, trysnia e votuesve dhe paratë për votën, rezultati del i deformuar”, u shpreh Bozdo.
Ai nënvizoi se PD ka detyrim ndaj votuesve dhe opinionit publik që të jetë e pranishme në komisione dhe të bëjë transparente qëndrimet e saj, edhe nëse nuk pret dakordësi me mazhorancën.













