
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, prezantoi në Vorë disa nga parimet kryesore mbi të cilat mbështetet Projektbuxheti 2027 për Bashkinë e Vorës, duke vënë theksin te drejtësia fiskale dhe ndarja e barrës tatimore sipas të ardhurave.
Gjatë takimit, Balla e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si më të madhin në historinë e Shqipërisë, ndërsa u ndal veçanërisht te parimi se kontributi financiar duhet të jetë proporcional me të ardhurat e çdo qytetari.
“Ne jemi socialistë. Si të tillë, kemi një parim: kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kush paguhet më pak, paguan më pak ose aspak”, deklaroi Balla.
Duke komentuar qëndrimet kundërshtuese ndaj projektbuxhetit, ai akuzoi kundërshtarët politikë se synojnë të përmbysin këtë filozofi, duke favorizuar sipas tij individët me të ardhura më të larta dhe duke rritur barrën për ata që kanë më pak mundësi ekonomike.
“Ata që kemi kundërshtarë të këtij buxheti duan ta kthejnë përmbys. Duan që ata që fitojnë më shumë të paguajnë më pak dhe ata që paguajnë më pak ose fitojnë më pak të paguajnë më shumë. Ne këtë nuk e pranojmë”, u shpreh ai.
Në përfundim, Balla theksoi se taksimi i ndershëm mbetet një nga shtyllat kryesore të filozofisë fiskale të mazhorancës, duke e paraqitur këtë parim si një element thelbësor të Projektbuxhetit 2027.