E martë, 10 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rama nuk tërhiqet: Jemi duke punuar për shtetin Bektashi!
Lajme

Rama nuk tërhiqet: Jemi duke punuar për shtetin Bektashi!

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se qeveria po vijon punën për projektin e krijimit të shtetit bektashi, duke deklaruar se nisma do të ecë paralelisht me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë një bashkëbisedimi në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, Rama u pyet nëse projekti për shtetin bektashi do të konkretizohet. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër, por konfirmoi se ideja nuk është braktisur.

“Jemi duke punuar për shtetin bektashi dhe do të shohim se ku do të arrijmë”, u shpreh kryeministri.

Rama e vendosi këtë nismë në të njëjtën linjë me rrugën europiane të Shqipërisë, për të cilën tha se mbetet një proces me rëndësi vendimtare për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve.

Duke folur për integrimin, kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të ketë anëtarësim të përshpejtuar pa përmbushjen e reformave dhe kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian. Ai përmendi edhe Ukrainën, duke vlerësuar përpjekjet e saj në luftën kundër agresionit rus dhe duke thënë se vendi po lufton jo vetëm për veten, por edhe për Europën.

Sipas Ramës, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve që konsiderohen pararojë në procesin e integrimit, ndërsa anëtarësimin në BE e cilësoi si mundësinë më të mirë për vendet e rajonit.

“Ne jemi vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët, jemi me një traditë tepër të dobët të funksionimit të institucioneve. BE na jep mundësinë të ndërtojmë shtetin tonë të së drejtës. Procesi i integrimit me meritë në BE duhet të vazhdojë”, deklaroi ai.

Në diskutimin e zhvilluar në Paris, Rama u ndal edhe te marrëdhëniet me vendet fqinje dhe situata në rajon. Ai tha se Shqipëria ka luajtur dhe vijon të luajë një rol për paqen dhe stabilitetin, duke theksuar se marrëdhëniet e mira me fqinjët janë të domosdoshme.

Sa i përket Kosovës, kryeministri e cilësoi pavarësinë e saj si një realitet të pakthyeshëm dhe i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë këtë fakt.

“Sa i takon çështjes së Kosovës, mbetet një pikëpyetje, sepse vazhdon që të ketë probleme nga ana e Serbisë, por Kosova është vend i pavarur dhe ky realitet nuk ndalet. Serbët sa më shumë ta shohin si fakt jete, aq më mirë për ta”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për të ardhmen e vetë Bashkimit Europian, duke ngritur pikëpyetje mbi sfidat me të cilat do të përballet Unioni në vitet e ardhshme. Sipas tij, integrimi do të jetë pozitiv për Shqipërinë, por mbetet për t’u parë se në çfarë gjendjeje do të jetë vetë BE-ja.

“Është e sigurt që Shqipëria do të jetë mirë me integrimin në BE, por atë që nuk dimë me siguri është se si do të jetë vetë Bashkimi Europian pas shumë kohësh. Unë jam i sigurt që Shqipëria në BE do të thotë se vendi ynë është mirë, por a do të jetë BE mirë?”, deklaroi kryeministri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.