Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka ngritur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, protestat kundër qeverisë së Edi Ramës dhe çështjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, Gahler i cilësoi protestat e qytetarëve si plotësisht të justifikuara, duke vënë në fokus shqetësimet për korrupsionin dhe vendimin e mazhorancës socialiste për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Ballukut.
Eurodeputeti gjerman u ndal edhe te mundësia e krijimit të një qeverie teknike, të cilën e konsideroi si një zgjidhje që mund të ndihmonte në uljen e tensioneve politike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te proceset zgjedhore.
“Këto protesta krijojnë vështirësi si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën. Njerëzit nuk janë të kënaqur me asnjërën palë. Ndoshta një qeveri teknike mund të ishte një zgjidhje për të sjellë qetësi, duke u dhënë njerëzve shpresën se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë të lira, të ndershme dhe pa korrupsion”, u shpreh Gahler.












