
Protesta studentore që do të zhvillohet ditën e nesërme prej orës 14:00, duket se ka ndryshuar edhe axhendën e Kombëtares shqiptare, në prag të duelit me Finlandën.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, FSHF, bën me dije se kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën zyrtare stërvitore paradite dhe jo në orarin e ndeshjes. Një precedent ky që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. E njëjta situatë edhe për kombëtaren mike.
FSHF bën me dije se Shqipëria do të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore në orën 11:00, që do të jetë 15 minutat e para e hapura për mediat.
Në orën 16:00 në stadiumin “Air Albania” do të zhvillohet edhe konferenca zyrtare e trajneri Maran dhe një lojtari.
Sa i përket programit të Finlandës, ekipi mik do të zhvillojë konferencën zyrtare për media në orën 11:30 dhe në orën 12:30 do të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore.
Vlen të theksohet fakti se protesta studentore pati një impakt të drejpërdrejtë edhe në axhendën e duelit europian të Egnatias në shtëpi ndaj Midtjylland. Sfida e parashikuar për t’u zhvilluar në “Air Albania”, për shkak të protestës u zhvendos në “Elbasan Arena”, ndërkohë që stërtvitja zyrtare e danezëve në kryeqytet, u ndërpre si pasojë e gazit lotsjellës.
Kësisoj FSHF ka menduar të shmangë një situatë të ngjashme për duelin Shqipëri-Finlandë.




