SHBA zhvendos avionët nga Anglia/ Pas Fairford, avionët largohen edhe nga Mildenhall, dyshime për kërcënime sigurie
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Greqi, ku trupi i pajetë i një vajze 24-vjeçare, me origjinë nga Burkina Faso, është gjetur brenda një valixheje në zonën e Shën Pandeleimonit, në Athinë.
Valixhen e ka pikasur një 28-vjeçar, i cili, pasi ka ndier një erë të rëndë, ka njoftuar menjëherë policinë.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se e reja ishte shpallur e zhdukur që prej datës 29 tetor. Sipas gazetarit Edmond Guri, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, trupi ishte braktisur në një trotuar, pranë koshave të mbeturinave, ndërsa ekspertiza mjekoligjore dyshon se vdekja kishte ndodhur rreth katër ditë përpara zbulimit të valixhes.
“Është një ngjarje që ka befasuar për mënyrën dhe rrethanat se si është zbuluar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për trupin e pajetë të një femre. Është një tjetër rast femicidi në Greqi, një fenomen që sa vjen dhe rritet, në vend që të zvogëlohet”, u shpreh gazetari.
Sipas tij, trupi i vajzës është gjetur i lidhur dhe pa rroba, ndërsa deri më tani nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune. Partneri i saj, një 29-vjeçar, gjithashtu emigrant, ishte personi që kishte raportuar zhdukjen e saj. Ai është marrë në pyetje nga policia, por më pas është lënë i lirë, ndërsa hetimet vijojnë.
“Nuk përjashtohet as pista e xhelozisë apo e përdorimit të lëndëve narkotike. Partneri i saj është marrë në pyetje nga policia, por është lënë i lirë. Janë disa elemente që lënë dyshime, por deri tani nuk kemi të dhëna të konfirmuara për autorin apo rrethanat e sakta të vdekjes. Fakti që trupi është gjetur në një valixhe, në një vend të tillë, do të thotë se autorët mund të kenë vepruar në panik ose mund të jenë larguar me nxitim, pasi kanë kuptuar se mund të ishin pikasur nga dikush”, deklaroi Guri.
Gjatë intervistës në “Shqipëria Live”, Guri u ndal edhe te fenomeni i femicidit në Greqi, duke e cilësuar atë si një problem që kërkon vëmendje të vazhdueshme institucionale dhe jo vetëm reagime të përkohshme pas ngjarjeve të rënda.
“Problemi është se ngjarjet marrin vëmendje për një periudhë të shkurtër dhe më pas harrohen. Nuk duhet ta trajtojmë femicidin thjesht si një ngjarje që tërheq vëmendjen publike, por si një fenomen shoqëror që kërkon analizë dhe ndërhyrje konkrete nga ekspertët”, u shpreh Guri.
Gazetari u ndal gjithashtu te problematikat me identifikimin e viktimave emigrante dhe njoftimin e familjarëve, duke theksuar se në raste të tilla duhet të përfshihen ambasadat dhe konsullatat përkatëse.
“Autoritetet kanë detyrimin të kontaktojnë ambasadat ose konsullatat përkatëse. Kur një person identifikohet dhe nuk ka familjarë që mund të kontaktohen, duhet të njoftohet shteti i origjinës”, tha Guri.
Ai ngriti shqetësimin edhe për vështirësitë që hasin gratë emigrante në marrjen e mbështetjes institucionale, duke theksuar se strukturat e ngritura për mbrojtjen e grave të dhunuara nuk kanë gjithmonë personelin e specializuar dhe kapacitetet e nevojshme.
Top Channel