Bota

“Serbia ta njohë Kosovën”, kryeministri Albin Kurti mesazh nga Parisi drejtuesve të ardhshëm në Beograd

Udhëheqja e re në Serbi duhet ta pranoj realitetin se Kosova është shtet i pavarur, ka deklaruar të martën Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Në një intervistë për Radion Ndërkombëtare Franceze ai u shpreh se nga ana e Kosovës ekziston gatishmëria, porse në Serbi, pas fitores së Listës Studentore do të përcaktohen qartë qëndrimet e tyre, tek në momentin e zgjedhjes së qeverisë.

“Unë uroj që ata ta pranojnë realitetin dhe të vërtetën, ta njohin Kosovën, ta kuptojnë që nuk ka kthim prapa dhe se ecja përpara nënkupton Bashkimin Evropian”, tha Kurti.

Kurti gjatë një takimi me studentët e Paris School of International Affairs, duke folur për marrëdhëniet me Serbinë tha se ky shtet duhet ta braktisë fushatën e saj agresive kundër njohjes sonë ndërkombëtare. Derisa për normalizimin kryeministri i Kosovës tha se procesi duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, duke filluar me dorëzimin e Milan Radoiçiqit.

Gjatë qëndrimit në Francë në kuadër të Samitit të Paqes, kryeministri Kurti mori pjesë edhe në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë që nuk duhet ndalur se punuari për drejtësi.

“Sa i përket drejtësisë ndërkombëtare. Kur s’je i kënaqur me vendimin, bëj gjithë punën që duhet për Apelin dhe asnjëherë mos ndalo së besuari në të vërtetën dhe së punuari për drejtësi”, u shpreh Kurti.

Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Paris ka takuar edhe zyrtarë shtetëror të Francës, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve.